Prefekti i Qarkut Durrës Roland Nasto ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtues të institucioneve shëndetësore në qark ku ishin të pranishëm drejtoresha e NJVKSH Durrës, Aurora Hyka, drejtoresha e FSDKSH, Natasha Paço, Zv/drejtori Rajonal i SRD, Genti Kavaja, drejtori i ISHSH Durrës, Indrit Cerloj etj.

“Ky takim kishte në fokus raportimin nga drejtuesit mbi marrjen e masave paraprake në zbatim të akteve normative mbi respektimin e protokolleve të sigurisë ndaj Covid 19 e më gjerë në mbrojtje të qytetarëve dhe turistëve vendas dhe të huaj që priten të vizitojnë qarkun tonë këtë periudhë si dhe për të diskutuar mbi planet konkrete të veprimit të secilit institucion për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2021, në mënyrë që të krijojmë klimën e duhur për një turizëm bashkëkohor dhe të sigurtë”,- njofton prefektura përmes një postimi në rrjete sociale.

Prefekti në fjalën e tij u shpreh që këto masa duhet të jenë sa më rigoroze dhe të marra në kohë me qëllim që fillimi i sezonit turistik 2021 të na gjejë pa problematika në këtë drejtim. Prefekti nënvizoi dhe një herë detyrimet ligjore që kanë të gjithë aktorët për zbatimin e akteve ligjore në fuqi, detyrat dhe kompetencat që ka secili sektor sipas misionit dhe pergjegjësisë për të monitoruar, kontrolluar të gjitha subjektet që proçedojnë në informalitet dhe në kundershtim me ligjin.

Nga ana e Prefektit u kërkua bashkëpunim midis institucioneve për rritjen e efektivitetit të punës, menaxhimi i situatës duhet të jetë në nivelin e duhur, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe operatoreve turistikë për zbatimin e rregullave dhe protokolleve të shëndetësisë.

Institucioni i Prefektit do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm për të monitoruar dhe njëkohësisht mbështetur në lidhje me çdo problematikë.