Tiranë, 9 qershor 2014 – Në kuadër të sezonit të ri turistik, qeveria shqiptare ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e tij që janë prezantuar nga ministrat e kabinetit qeveritar në një takim të organizuar mesditën e së hënës.
I pranishëm në këtë takim, kryeministri Edi Rama premtoi që historia e privatizimit të plazheve do të mbarojë: “Do të marrë fund privatizimi 100% i plazheve. Historia që duhet të paguash për të shkelur rërë dhe det do të marrë fund. Kemi marrë një vendim qeverie: privati do të marrë me kontratë të drejtën për të shfrytëzuar një pjesë të kuadratit. Atë pjesë do e pastrojë. E di që do të kemi probleme, por nuk do të tolerojmë askënd. Plazhet janë të çdo shqiptari dhe populli nuk do të detyrohet të paguajë para’.”
Zoti Rama shtoi: “Sezoni turistik nuk është periudhë pushimi për kryeministrin dhe qeverinë, ashtu siç fatkeqësisht ka qenë traditë këtu tek ne. Ky sezon është një sfidë për një qasje të re për turizmin.”
Kryeministri falenderoi në veçanti punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për pastrimin nga plehrat të plazheve: “Falenderoj ministren e Mbrojtjes (Mimi Kodheli) që e ka drejtuar vetë këtë operacion pa zhurmë dhe me efektivitet. Pastërtia do të jetë fjala kyçe e këtij sezoni të parë në mënyrë që të kemi më në fund plazhe të pastër dhe rrugë nacionale të pastra. Forcat e Armatosura janë të respektuara që marrin pjesë në një operacion të tillë pasi emergjenca e plehrave në Shqipëri nuk është më e vogël se ajo e përmbytjeve. Plehrat sjellin pasoja të rënda për turizmin tonë.”
Ndërsa, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nënvizoi se gjatë këtij sezoni turistik priten 3 deri në 3.5 milionë turistë shqiptarë dhe të huaj.
“Në periudhën që parashikojmë fluks më të lartë, 1 korrik-15 gusht, do të adoptojmë edhe strukturën e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike apo parandalimin e krimeve në zonat turistike”, tha Tahiri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





