“10 mijë turistë të huaj në javë vizitojnë qytetin e Durrësit”.
Deklarata u bë nga kryebashkiakja e qytetit bregdetar, Emiriana Sako gjatë raportimit për punën e bashkisë në takimin që kryeministri Rama po zhvillon me kryetarët e bashkive në Pogradec.
Sipas Sakos, rezervimet në hotele janë finalizuar deri në fillim të muajit tetor, çka nënkupton një sezon të suksesshëm turistik.
“Këtë vit ne kemi të garantuar nga kontaktet që kemi me operatorët 10 mijë persona në javë që vijnë në qytetin e Durrësit dhe e zgjedhin atë si destinacion. Vizitorët janë çekë, polakë, lituanezë, norvegjezë, suedezë, danezë etj. Nga komunikimi që kemi me administratorët dhe tur-operatorët, rezervimet janë deri në fillim të muajit tetor, duke garantuar një sezon mjaft të mirë turistik për qytetin tonë”,– tha Sako.
Duke u ndalur tek shifrat nga sektori i turizmit një vit më parë, Sako deklaroi se në vitin 2021, Durrësin e kanë zgjedhur si destinacion më shumë se 324 mijë vizitorë.
Duke u ndalur tek prioritetet e punës së bashkisë në vijim të këtij viti dhe vitit të ardhshëm, kryebashkiakja e Durrësit u përqendrua tek përfundimi i riparimit të ambienteve të përbashkëta në pallatet e dëmtuara nga tërmeti, riforcimi i pallateve DS4 dhe banesave individuale, përfundimi i ndërtimit të 20 objekteve arsimore, mbjellja e 3030 pemëve, ndriçimi i 11 rrugëve, blerja e mjeteve për pastrimin e qytetit, rehabilitimi i kanaleve ujitëse kulluese etj.
Ndiqni videon të plotë KETU