Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri si dhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kanë nxjerrë një udhëzim që kufizon qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë fundjavave dhe festave në sezonin turistik.

Bëhet fjalë për periudhën nga 15 qershori deri më 15 shtator ku mjetet e tonazhit të rëndë do të kenë lëvizje të kufizuar jo vetëm në qendrat urbane por edhe në rrugët kombëtare.

Ndalohen të qarkullojnë në oraret e përcaktuara në udhëzim, kursantët e auto-shkollave mësimore, transporti i mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.5 ton, me ngarkesë të pandashme me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, dhe makinat bujqësore dhe teknologjike.

Kufizimi i qarkullimit të këtyre mjeteve vlen nga data 15 qershor deri në 15 shtator dhe do të ketë këto orare.

Ditën e premte periudha e kufizuar do të jetë nga ora 15.00 deri në orën 22.00. Për ditët e fundjavës: të shtunën nga ora 08.00 deri në 12.00 dhe nga ora 16.00 deri në orën 22.00. Ndërsa e diela nga ora 07.00 deri në orën 22.00.

Ndërsa për ditët e festave zyrtare që përkojnë me sezonin turistik kufizimi i qarkullimit do të jetë nga ora 14.00 e ditës para festës, deri në orën 22.00 dhe nga ora 08.00 e ditës së festës deri në orën 24.00 të po asaj dite.