Njësitë vendore, vendosin tabelat informuese

DURRES, 8 korrik 2013 – Parandalimi e goditja në kohë e veprimtarive kriminale, ruajtja e rendit e qetësisë publike, në vende turistike, hotele, bare, restorante etj, mbeten disa nga objektivat kryesore të  punës së drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës, përgjatë këtij sezoni veror. 

Zonat turistike të Durrësit, janë destinacionet më të preferuara në vend, ku periudha qershor-shtator, karakterizohen nga një fluks i lartë pushuesish , e si rrjedhore ngjarjet me tendencë kriminale shtohen. Për të garantuar një mjedis të sigurtë për qytetarët e turistët e shumtë që kanë nisur frekuentimin e qytetit bregdetar, tre  strukturat policore që operojnë në këtë qark, kanë hartuar një plan të përbashkët masash.

Nëpërmjet zëdhënëses Ornela Cako, drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, garanton se efektivat e rendit, do të jenë 24 orë në shërbim të qytetarëve, në zonat turistike, në rrugë, lokale, ambjente të tjera publike, me qëllim parandalimit e goditjes së veprave të ndryshme penale si dhe në drejtim të ruajtjes së qetësisë publike.

Policia e qarkullimit, është një tjetër struktur e cila siguron monitorimin e akseve më problematike dhe me tendencë më të lartë për aksidente rrugore, siç autostrada Tiranë- Durrës, aksi rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit si dhe Plepa-Kavajë. 

Në ndihmë të efektivave të qarkullimit të Durrësit, pritet të mbërrijnë dhe efektiva të Tiranës, të cilët do të punojnë për disiplinimin e trafikut, parandalimin e aksidenteve rrugore si dhe shmangien e drejtuesive që nuk zbatojnë kodin rrugor.

Lehtësim të procedurave të kontrollit në sportelet e pikës kufitare të portit të Durrësit si dhe standarte me të larta shërbimi, ofrimit të ndihmës qytetareve në rrezik mbytjeje në plazhe, garantohet edhe nga drejtoria e Migracionit dhe Kufirit.

Ndërkaq nga ana e bashkia Durrës, ashtu sikurse disa njësi të tjera vendore kanë nisur punën për vendosjen pjesërisht të  tabelave treguese  e informuese mbi numrat telefonikë të policisë dhe shërbimeve të emergjencës, të cilat do të jenë në shërbim të pushuesve në rast nevoje. 

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/