Bashkia Durrës në kuadër të sezonit turistik ka marrë vendimin për kufizimin e qarkullimit të mjeteve te transportit të mallrave, furgonave të shërbimit, si dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit. Vendimi hyn në fuqi në datën 1 qershor dhe është i vlefshëm deri më 15.09.2024.

Gjithashtu, në njoftim bëhet me dije se subjektet tregtare do ta kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur.

Zona e kufizimit të qarkullimit do të jetë përgjatë rrugës Adria, Deshmorëve, rrugës Aleksandër Goga (deri te Drejtoria e Policisë), Bulevardi Epidamn, Shëtitorja Taulantia, Rruga e Currilave, Rruga Egnatia, Rruga Mars 91, Rruga Hysen Kërtusha, Rruga Mujo Ulqinaku, Rruga Glaukia, Rruga Stefan Kaçulini, Rruga Pavarësia, si dhe rruga dytësore Plepa – Përroi i Agait.

Njoftimi i plotë:

📢NJOFTIM📢

Në zbatim të urdhërit të Kryetarit të Bashkise Nr.179 Datë 29.05.2024
Mbi organizimin e planit të lëvizjes së automjeteve të transportit të mallrave në qytetin e Durrësit në kuadër të sezonit turistik, si dhe për shkak të fluksit të shtuar dhe ngarkesës që sjellin këto mjete në qarkullim gjatë sezonit të verës, me qëllim garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sezonit turistik, Policia Bashkiake njofton drejtuesit e mjeteve si më poshtë:

Ndalimin e qarkullimit të mjeteve ATP (automjet të transportit të përzier), me masë maksimale të autorizuar deri në 3.5 ton, si më poshtë:
hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 09:00-13:00 dhe ora 16:00-22:00;
shtunë, ndalim qarkullimi ora 09:00-22:00;
diel, ndalim qarkullimi 24 orë.

Ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, me masë maksimale të autorizuar 3.5-7.5 ton, si më poshtë :
hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 09:00-22:00 ;
shtunë, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00;
diel, ndalim qarkullimi 24 orë.

Ndalimin e qarkullimit të mjeteve me tonazh të rëndë ATV (automjete të transportit të veçantë ) me masë maksimale të autorizuar mbi 7.5 ton (betoniere, kamionë, trajler, etj.), si më poshtë:
hënë – premte, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00 ;
shtunë – diel, ndalim qarkullimi ora 07:00-22:00;

Zona e kufizimit të qarkullimit do të jetë përgjatë rrugës Adria, Dëshmorëve, rrugës Aleksandër Goga (deri te Drejtoria e Policisë), Bulevardi Epidamn, Shëtitorja Taulantia, Rruga e Currilave, Rruga Egnatia, rruga Mars 91, Rruga Hysen Kërtusha, Rruga Mujo Ulqinaku, Rruga Glaukia, Rruga Stefan Kaçulini, Rruga Pavarësia, si dhe rruga dytësore Plepa – Përroi i Agait, sipas planvendosjes bashkëlidhur.

Subjektet tregtare do të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese sipas orarit përkatës dhe sinjalistikës së vendosur.

Lejohet qarkullimi i të gjitha mjeteve të policisë, urgjencës, zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Plazh, Agjencisë së Parqeve Urbane, Ndërmarrjes Rruga dhe mjetet e transportit publik urban.

Qarkullimi i mjeteve gjatë kufizimit të vendosur nëpërmjet këtij Urdhëri, do të kryhet vetëm sipas autorizimeve përkatëse të lëshuar nga Bashkia Durrës.

Ndërmarrja Rruga duhet të vendosë sinjalistikën e përcaktuar në këtë Urdhër brenda 5 ditëve.

Për zbatimin e këtij Urdhëri ngarkohet Ndërmarrja Rruga, Policia Bashkiake, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, Sektori i Qarkullimit Rrugor.