Brenda më pak se katër ditësh, 11 të mitur përfunduan me lëndime dhe fraktura në spitalin “Naum Ohridski” në Shkup.
Mediat vendase thonë se adoleshentët janë lënduar duke ndjekur “Sfidën e Superman” në TikTok, një trend i rrezikshëm i përhapur mes gjimnazistëve atje, por edhe nxënësve të shkollave fillore.
Në Zelenikovë të Shkupit, një prind raportoi në polici se djali i tij ka pësuar lëndim të rëndë nga kjo sfidë.
Sfida është që dikush të kërcejë me një krah të shtrirë përpara si personazhi i famshëm i Superman. Një grup fëmijësh e hedh më pas në ajër djalin ose vajzën e sfiduar, të cilin më pas mund ta kapin ose jo. Por videot tregojnë se shpeshherë grupi largohet, dhe fëmija bie drejt e në tokë.
Drejtori i spitalit “Naum Ohridski”, Nebojasha Nastov, pohoi se fëmijët kanë lëndime të ndryshme.
Mjekët dhanë alarmin duke insistuar se sfida të tilla janë shumë të rrezikshme, dhe se këndimet mund të vijnë me pasoja të rënda për të miturit.