Teuta do të luajë ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Dinamos ditën e shtunë. Kampionët në fuqi të Superligës zbresin në stadiumin e Egnatias në orën 13:45, ndërsa do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas barazimit në Shkodër.

Për takim, trajneri Martini ka marrë lajme të mira nga infermieria pasi mbrojtësi Ivanovic është rikuperuar plotësisht nga dëmtim. Qendërmbrojtësi mungoi në takimin kundër Vllaznisë në “Loro Boriçi”, por tashmë është I gatshëm për të të luajtur nga minuta e parë.

Gjithashtu edhe Sebino Plaku i cili ka ndjerë shqetësime ditët e fundit është rikuperuar dhe do të plotësojë fazën sulmuese të Teutës.

E vetmja mungesë në këtë ndeshje për durrsakët do të jetë ajo e Todorovskit që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e kaluar, por trajneri Edi Martini e ka gjetur zëvendësuesin e tij. Hektor Idrizaj është projektuar si titullar dhe do të aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes.