Dhjetra anëtarë e simpatizantë të lëvizjes “Sfida për Shqipërinë” u mblodhën mbrëmjen e datës 28 shkurt 2017, në sallën e konferencave të qendrës tregëtare “Blue Star” të qytetit të Durrësit. Qëllimi i këtij takimi të parë zyrtar të kësaj lëvizjeje në qytetin bregdetar ishte prezantimi i programit të lëvizjes, evidentimi i punës së bërë deri tani për zgjerimin e saj në Durrës, bashkëbisedim me anëtarësinë për problemet kryesore dhe diskutimi i çështjeve statutore e teknike. Krahas nismëtarëve dhe anëtarësisë durrsake, në takim morën pjesë dhe anëtarët e kryesisë të kësaj lëvizjeje, Ermal Hasimja, Besa Xhumari, Briselda Beleshi, Justina Kollashi, etj.
Zoti Gjergj Bojaxhi, drejtues i kësaj lëvizjeje, nuk mori pjesë për arësye shëndetsore. Lëvizja politike “Sfida! Për Shqipërinë” e ka zanafillën e saj 2 vjet më parë, me qëllimin e mirë për të sjellë një frymë të re në teatrin politik të vendin tonë, ku në qendër të jetë “Qytetari Sovran”. Ajo u ballafaqua për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2015, ku kandidati Gjergj Bojaxhi, arriti të marrë mbi 5% të votave në Tiranë, një fillim i mbarë ky për një lëvizje të re. Në paragrafin e parë të preambulës së kësaj lëvizjeje shkruhet se, kjo lëvizje vjen në harkun historik të një vendi, kur më e mira dhe më të mirët, që ai vend zotëron, të dalin në pah dhe të bashkohen për të shpallur dhe përkrahur një sfidë të re, një vizion të ri dhe një marrëveshje të re shoqërore…
Kjo lëvizje e hapur qytetare, ka për qëllim angazhimin e çdo qytetari, si pjesë thelbësore dhe të domosdoshme të shoqërisë, për t’i dhënë fund plaçkitjes dhe makinerisë së korruptuar të pushtetit. Në fund të këtij dokumenti thuhet se, “Lëvizja synon një shtet që i shërben qytetarit, shteti ekziston që të mbrojë të drejtën e pamohueshme të qytetarëve për të arritur këto ideale, duke kontribuar në shoqëri dhe të marrin pjesë në marrjen e vendimeve që prekin jetën e tyre”.
Takimin e mbrëmshëm e hapi një nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje në Durrës, Edlir Mema, i cili mbasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve në këtë takim, vuri në dukje qëllimin e mirë të kësaj lëvizjeje, korrigjimin e mjaft fenomeneve negative që e kanë rënduar situatën e qytetarëve në vendin tonë. “Këto shqetësime që i përjetojnë shqiptarët kudo dhe në Durrës, kërkojnë angazhim dhe reflektim të qytetarëve durrsakë”, theksoi zoti Mema. Ai solli një shembull të një pankarte në Prishtinë, ku për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve shkruhet: “Unë votoj, ti voton, ai, ajo voton, ne votojmë, ju votoni, ata, ato vjedhin”. Mema u bëri thirrje të pranishmëve me këto fjalë: “Ne duhet të punojmë, të zgjerohemi dhe të bashkohemi për t’i paraprirë së keqes në zgjedhjet e qershorit 2017”.
Në vijim të takimit e mori fjalën Hasimja, i cili duke iu përgjigjur dhe pyetjeve të pjesëmarrësve në takim shtjelloi disa pika kryesore të programit, problemet kryesore, çfarë afron në vetvete kjo lëvizje, vështirësitë e zgjerimit, reforma në drejtësi, e vërteta e zgjidhjes së çështjes së punësimit, nisma dhe frymëmarrje për sipërmarrjen private nëpërmjet një sistemi taksash efikas dhe krijimin e një klime pozitive për bisneset. “Sfida është një çadër e madhe e shtrirë në gjithë territorin, një lëvizje e re politike për të ndryshuar Shqipërinë”, tha Hasimja. Anëtarja e kryesisë Rita Loloci, sqaroi arsyet pse ajo aderon tek Sfida, sepse ka projekte që prekin direkt qytetarët shqiptarë, të drejtat dhe detyrimet në një shtet demokratik, pra hapësira të nevojëshme për cdo qyetar shqiptar.
Ndërkohë Fatmir Boshnjaku, një nga nismëtarët e kësaj lëvizjeje për qytetin e Durrësit, theksoi se duke parë gjendjen e tanishme të shqiptarëve, nivelin e varfërisë e korrupsionit, lëvizja “Sfida!” do jetë një lëvizje ku çdo qytetar durrsak do e gjejë veten, pavarësisht nivelit arsimor, ekonomik e social. “Si ish-ushtarak, unë do jap kontribut maksimal për të zbatuar programin tonë, në themel të së cilit është shteti ligjor e social. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë jetesë me resurset ekonomike që ka vendi ynë, ndaj do punoj në terren dhe me ish-kolegët e mi, për të zgjeruar çdo ditë radhët e ‘Sfidës’”, nënvizoi Boshnjaku.
Gjithashtu gjatë takimit, nga aktivistë të lëvizjes si, Kastriot Dyrmishi, Gentian Hasa, Raimonda, Justina, etj, {disa prej të cilëve të arsimuar jashtë ose ish-emigrantë}, u trajtuan e sqaruan çështje të organizimit të lëvizjes në nivel horizontal e vertikal, arsyeja pse duhet votuar “Sfida!”, pritshmëritë e lëvizjes, dimensioni ekonomik, social i qytetarit, raporti moral dhe vlerave e antivlerave të lëvizjes, mbështetja për brezin e 3-të, ku mos të ketë pension nën nivelin e pagës minimale 22 mijë lekë, mentaliteti i ri perëndimor dhe respekti për profesionistin dhe punëtorin si dhe mbështetja e reformës në drejtësi dhe Vettingut.
Në fund të takimit Besa Xhumari sqaroi disa çështje teknike dhe organizative për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e Sfidës. Mesazhi i këtij takimi të parë të “Sfidës” në Durrës ishte krijimi dhe zhvillimi i një modeli të ri politik në Shqipëri, që në qendër ka qytetarin. Pra, thjesht një sfidë e qytetarit përballë realitetit të sotëm. Le të shohim, “Sfida” në fakt ka filluar të përballojë sfidat e para. Mos harrojmë se muajt në vazhdim, ajo vetë ka shumë sfida për t’i kaluar në turbullirën politike aktuale në Shqipëri.
Nga Shefqet Kërcelli për “DurrësLajm”





