Nga Erl Murati
Si fillim dua të them që nuk është e vështirë të vihet re një lloj tensioni etik midis medias së shkruar dhe asaj online. Në disa raste vërehet që gazetaria tradicionale nuk e fsheh një lloj përbuzjeje për gazetarinë online dhe kjo është deri diku e kuptueshme.
Mediat online, ose ato që quhen rëndom portale, por edhe rrjetet sociale e kanë demokratizuar median në tërësi, duke goditur në disa raste identitetin e medias tradicionale.
Gazetaria e vjetër ndihet e rrezikuar nga kjo hapje e papritur e tregut dhe ndonjëherë përpiqet të barazojë lajmet on-line me lajme të dorës së dytë, disi të pabesueshme, ose shqip: me ‘fake news’.
Të më falin kolegët, por unë nuk mendoj që portalet tona mund të barazohen me “fake news” madje mendoj që asnjë prej tyre nuk është “fake news” në kuptimin që merr kjo fjalë në përdorimin ndërkombëtar.
Pra, mendoj që ne nuk kemi portale që janë themeluar enkas për të krijuar lajme të rreme, siç ka ndodhur në ndonjë vend tjetër.
“Fake news” mund të jenë bërë pjesë e fushatës presidenciale në SHBA, por në Shqipëri diçka e tillë nuk është verifikuar. Lajmet e rreme mund të jenë çështje ndërkombëtare, por unë po tentoj ta lokalizoj problemin.
Në Shqipëri, gazetaria ka një problem në raport me të vërtetën: ku shumë media publikojnë vetëm gjysmë të vërteta, njërën anë të medaljes, censurojnë ngjarje, nuanca dhe fshehin skandale.
Andaj, kush është problemi më i madh etik që ka gazetaria online? Mendoj se media nuk mund të shkëputet nga konteksti social shqiptar, prandaj unë përgjigjem: korrupsioni.
Nuk është e vështirë të identifikohen sot, portalet që paguhen nga politika, nga lobe të dyshimta, paraja informale dhe kriminale.
Nuk është e vështirë të identifikohen kolegë që i thonë të zezës së bardhë dhe anasjelltas, që publikojnë në portale artikuj anonimë me goditje poshtë brezit për kundërshtarët e paguesve të tyre.
Nuk kam asgjë kundër të pasurve, por jam ftuar në këtë panel për të folur për etikën, e cila në filozofi, është studimi apo vlerësimi i sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale.
A mund dhe si mund të frenohet ky fenomen?
Këtu do notoj me rrjedhën. Pa diskutim që lufta kundër informalitetit, gjurmimi i parasë së zezë, ndëshkimi i burimit të kësaj paraje është gur themeli për gazetarinë etike.
Dhe meqë është në modë po shtoj: Po! Ky fenomen mund të luftohet edhe nga reforma në drejtësi.
Gazetaria online ka mjaft probleme të tjera, të karakterit teknik. Nëse do të përzgjedhësh 5 apo 10 portale shqiptare, do t’u fshehësh logon identifikuese e do të lexosh vetëm tekstet e tyre do të kuptosh që po lexon të njëjtin shkrim 5 apo 10 herë.
Por, vjedhja e lajmeve është një problem, i cili nuk është thjesht etik dhe nuk godet thjesht identitetin e një gazetari apo një portali. Ai është problem financiar, pasi ti mund të shesësh mallin e tjetrit në vitrinën tënde duke e dëmtuar tjetrin, pasi vitrina jote mund të jetë më e madhe.
Pra, për shkak të fuqisë financiare ti mund të komunikosh me 300 mijë lexues dhe dikush që nuk e ka këtë mundësi, mund të komunikojë me 3 mijë apo 30 mijë lexues.
Kështu, aksesi përkthehet në para dhe paraja në akses. Kjo sjell që të pasurit pasurohen dhe të varfërit varfërohen duke thelluar hendekun në gazetarinë online dhe sigurisht që ky është një problem etik.
Tjetër, media online vuan edhe ajo nga disa sëmundje të medias tradicionale. Fotografitë e papërshtatshme, pamjet e rënda ose ‘rozë në të kuqe’, që hidhen pa teklik në botën e internetit, sensacionet e paqena, pra lajmet ‘click bait’ janë disa nga tiparet e zakonshme të portalit shqiptar.
Këto nuk janë thjesht probleme etike dhe estetike, por keqorientojnë dhe keqkultivojnë shijen dhe pritshmërinë e lexuesit.
Pa folur pastaj për të drejtën e autorit të fotografisë, i cili në epokën e Instagramit, e sheh të humbur betejën shumëvjeçare për të mbrojtur punën e tij.
Në Kodin Etik të medias të publikuar në vitin 2006 nga Instituti i Medias me mbështetjen e OSBE, thuhet se “media duhet të bëjë publik një korrigjim të qartë dhe në vend të dukshëm ku tregohet se informacioni i pasaktë ose i shtrembëruar është bërë bërë publik dhe nëse është e nevojshme, të kërkojë ndjesë”.
Jemi në 2017-n dhe këto 11 vite, unë nuk mbaj mend një rast që kjo të ketë ndodhur në median online. Dhe po bëj 'mea culpa': As në shtypin e shkruar.
Lajmet me dy ose më shumë burime, janë ekskluzivitet dhe luks i portaleve që financohen nga OJF të huaja, ndërsa ndërhyrja në jetën private të njerëzve është normalitet.
Po pse duhen zbatuar parimet etike dhe a kemi të bëjmë vetëm me një çështje të karakterit moral?
Ajo që duhet kuptuar është se duke zbatuar disa standarde etike, media online do të fitojë apo ruajë kredibilitetin tek lexuesi.
Eshtë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme për të bindur publikun se liria e medias nuk është papërgjegjshmëri dhe se pushteti dhe fjala e lirë nuk janë në krah, por përballë njëri-tjetrit dhe në asnjë rast nuk mund të futen bashkë në një kazan.