Flamur Bala, është një djalë i ri nga Durrësi, që jeta e ka vënë përpara disa vështirësive të forta, por ai e ka gjetur dritën në shpirtin e tij dhe përpiqet që këtë dritë t’ua përcjellë sadopak edhe atyre që mund të kenë humbur pozitivitetin.
Bala ka botuar librin e tij të parë të titulluar “Sfidë në univers” me thënie dhe poezi, për të cilin ka punuar për pesë vite.
Flamurin e takuam në shëtitoren “Taulantia”, aty ku dhe ai kalon një pjesë të mirë të kohës buzë detit, e pikërisht në vendin aq të frekuentuar nga durrsakët ka nxjerrë dhe stendën ku reklamon librin e tij.
“Ky libër erdhi si frymëzim force dhe shpresë jete, duke gjetur forcën brenda vetes, thashë pse jo dëshirën për të shkruar e për të shprehur, ta bëj përmes librit. Duke qenë se jeta ime përbëhet e tillë me pengesa dhe me probleme, me momente të gëzueshme e jo të tilla, mendova ta sjell përmes librit duke e titulluar “Sfidë në univers”. E përputha me gjithë jetën time dhe për të gjithë në fakt jeta është sfidë. Jam munduar të përfshij të gjithë llojet e poezive: për dashurinë, për nënën, ka thënie filozofike që i përshtaten të gjitha aspekteve njerëzore”, thotë Flamuri, teksa vë theksin se ajo që mbizotëron në këtë libër është shprehja e forcës dhe e motivimit, kryesisht te njerëzit që kanë humbur motivin për të jetuar apo janë të lodhur nga pengesat e shumta.
Frymëzimi për të shkruar, Flamuri tregon se i erdhi rastësisht pasi ra në dashuri me një vajzë, e cila iku, por ai ende kishte shpresë asokohe që vajza që dashuronte të rikthehej sërish.
“Unë nuk kisha në plan për të bërë poezi apo thënie. Isha rastësisht në sheshin “Taulantia” kur më erdhi frymëzimi. Isha i dashuruar me një vajzë që tani nuk jam më. Bëra një poezi dhe e titullova “Eja ti”. Pavarësisht se ajo iku, por unë shpresoja që ajo të vinte përsëri. Ishte një nga poezitë më të bukura dhe vazhdova me të dytën “Këpucët e pastra” e më tej”, tregon Flamuri, i cili dëshiron të përshëndesë të gjithë ndjekësit e “DurrësLajm” me poezinë e titulluar “I vetëm në mes të sheshit”.