Studioja e arkitekturës që ka realizuar “Sfinksi”-n në qytetin e Durrësit 3 vite më parë, ka fituar së fundmi një çmim ndërkombëtar, pikërisht për këtë vepër.

“BOOM Landscape” ka fituar këtë vit “Big Architecture Awards 2018”, një çmim vjetor me fokus në projekte në Evropën Juglindore. Çmimi u paraqit mbrëmjen e së enjtes në “Festivalin e Arkitekturës së Madhe” në Ljubjanë.

Studioja “BOOM” fitoi çmimin me projektin e tyre “Cape Square” në Durrës, i njohur ndryshe nga durrsakët si “Sfinksi”, një projekt që u bë në bashkëpunim me “Cityförster”. Projekti u zgjodh nga një juri si projekti më i mirë në kategorinë “Peizazhi dhe Hapësira Urbane”.

(Në foto: çmimi“Big Architecture Awards 2018”)

Projekti do të ekspozohet në ekspozitën e “BA Awards 2018” në Zavod Big, Qendra për ekonomi krijuese, dhe do të publikohet në revistën “Hiše”. Juria vlerësoi mënyrën se si dizajnerët kanë kthyer një fenomen të peizazhit gjeologjik në një peizazh urban bashkëkohor, duke i dhënë qytetit të Durrësit një pikë të re referimi.

S.L.