NGA BUJAR QESJA

Kisha kohë që nuk e kisha parë dhe takuar Shab Xhymertin. Emër i spikatur i rinisë së viteve 60-70-të, por edhe për opinionin qytetar të Durrësit. Veçanërisht berberët e para 90-tës, shiheshin nga populli si shtresë e njohur. Aty bëheshin lloj lloj bisedash, humor, lexohej shtypi i vendosur në tavolinat e vogla të lokaleve dhe jetoje në një mjedis, që nuk e ndjeje vonesën e rradhës.

Durrësi ka pasë shumë berberë me emër dhe me shumë “frikë” do të përmënd disa prej tyre, duke kërkuar ndjesë për harresën e paqëllimshme. Kujtoj Osman Rexhën, Ramazan Thërminë, Babë Tepshin, Met Kadiun, Shit Roshin, Tit Çopanin, Agim Shimën, Lym Belbën, Qazim Dakolin, Lym Zallën etj. Shumë zanatçij, mjeshtra të vërtetë.

Shab Xhymerti e nisi zanatin nga vitit 1960, duke qenë nxënës i Beqir Rubikut, vëllait të emrit të përmëndur Abaz Rubiku, që ngriti lokal shumë të frekuentuar për durrsakët e vjetër. Shaba është nga familja e njohur Xhymerti, mbi 500 vjeçare në Durrës. Djali i Hysenit dhe vëllai i shumë të përmendurit Isuf Xhymertit. Edhe sot e kësaj dite, durrsakët të thonë tek “gëlqerja e Isuf Xhymertit”.

Durrsakët kanë qenë të lidhur shumë njëri me tjetrin. Mbeten punëtorë, të aftë për të ushtruar zanatin, por edhe tregtarë dhe biznesmenë të lindur. Kështu edhe Isufi, i cili është baba i gjashtë fëmijve: Hysenit, Fridës, Hatixhes, Zanës, Luçit dhe Lulit. Katër motrat Xhymerti zgjodhën të njëjtin zanat, atë të rrobaqepëses.

Dikur kanë punuar tek Moda e famshme dhe tani kanë biznes të përbashkët, gjithnjë në këtë profesion. Punojnë shumë dhe falë mjeshtërisë, kanë tërhequr klientelë të zgjedhur. Frida është bashkshortja e Qemal Kërtushës, violinë e parë e basketbollit të të rinjve historikë të Dhimitraq Gogës. Teknika dhe saktësia e tij në gjuajtje nuk harrohen.

Sa i takon dy vëllezërve Xhymerti Hysenit dhe Lulit, kanë biznes të përbashkët në fushën e ndërtimeve, duke punuar korrekt, ruajtur traditën qytetare dhe emrin e mirë të babait të tyre Isuf Xhymertit. Nuk po kalojmë më tej në lidhjet familjare, pasi bëhen shumë. Por ajo që tërheq vëmëndjen, është lidhja dhe trashigimia me fise autoktone durrsake, duke i bërë më të pranueshëm dhe më tërheqës në mjediset e qytetarisë tradicionale durrsake.

Të kalojmë tek Shaban Xhymerti, apo Shaba që me krehër dhe gërshërë, qendiste kryet e klientëve kur vinin të shkurtojnë flokët. E kam ndeshur këtë zotni shumë popullor në qytet, teksa bëj marshimet e mëngjesit drejt plazhit.

Së bashku me zonjën e tij Vathe Cani, ecin pa u ndalur disa kilometra. Shaba nuk është më ai i rinisë. Ka në kurriz 83 vite jetë. Sytë nuk i binden plotësisht shikimit dhe këmbët janë në vështirësinë e tyre.

Por ajo që vlen të veçohet, mbetet vullneti i jashtëzakonshëm i berberit tonë aq popullor, që të përballet me sfidat dhe të kalojë në formatin e mbijetesës. Me shumë zor e njoha, pasi vitet kanë lënë gjurmët e tyre, por nuk mund të anashkaloja takimin dhe bisedën me të.

Shaba është vëllai i dëshmorit Veli Xhymerti dhe Xhaferit. Ka për motra Nexhin dhe Gjylen, të dyja të lidhura me emra të njohur futbollistësh. Nexhi me një nga krijuesit e BEF-t-it të vitit 1943 Ahmet Mujka dhe Gjylja me futbollistin e viteve 60-të Muharrem Kadiun.

Veç këtyre ka edhe rrethin familjar. Por shpresa më e afërt dhe më e gjindshme e tij mbetet e shoqja, Vathja, e cila është shumë e komunikueshme dhe të folmen me zhargonin vendas.

-Do të hedh në letër diçka për ty Shab Xhymerti. Do të shkruaj sado pak për fisin e shkëlqyer të Xhymertëve të Durrësit, duke përfituar prej tyre urtësinë, mënçurinë, qytetarinë, të sakrificës, punëtorë të mëdhenj dhe familjarë, duke të kujtuar trashigiminë e dy më të njohurve baba Hysenit dhe vëllait të madh Isufit.

-Të faleminderit. Xhymertët janë nga të parët këtu dhe për to, pak është folur dhe shkruajtur.

Xhymertët tanë të mrekullueshëm! Dhe njëri prej tyre Shaba, berberi i historisë të rinisë tonë.