Amëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endri Shabani, ndau një mendim krejt ndryshe nga anëtarët e tjerë të opozitës për rastin e shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra e kryetarit.

Teksa përfundoi mbledhja e Komisionit të Çështjeve Ligjore në këtë institucion, kreu i “Nisma Thurje” shpjegoi se Këshilli duhet të votonte shkarkimin e kryebashkiakut, pasi nuk ishte nevoja që të dëgjohej.

“Kam qenë i pari që kam kërkuar shkarkimin e Erion Veliajt. Nuk ka çfarë të mbrohet më Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak ta shkarkojë, t’ia çojë Këshillit të Ministrave dhe të miratohet shkarkimi i tij”, tha Shabani mes të tjerash.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me njoftimin e autoriteteve apo kërkesën për t’u paraqitur për dëgjesë, ai theksoi se:

“Njoftimi ishte se Prokuroria nuk i ka dhënë leje, por mendoj se nuk ka nevojë të dëgjohet”.

Shabani kritikoi edhe këshilltarët socialistë për vonesën e kësaj nisme dhe mbrojtjen që sipas tij i bënë Veliajt për kaq muaj.

“Këshilltarët socialistë do ishte mirë që ta nisnin mbledhjen me një ndjesë”, përfundoi Shabani.