DURRËS, 18 janar 2015 –  Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në shtator 2014 emëroi Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në provincën e Harkov- / Harkiv-it në Ukrainë shtetasin ukrainas me origjinë azerbajxhanase 46-vjeçarin Shahin Anver Oglly Omarov, president i këshillit të biznesit ukrainas-azerbajxhanas, njofton shtypi i Baku-së.

Në janar 2015, Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës, në përputhje me nenin 12 të Konventës së Vjenës të 24 prillit 1963, ka dhënë eksekuaturën për Shahin Omarovin.

Provinca konsullore e Konsullit të Nderit përfshin rajonet lindore të Ukrainës në kufi me Federatën Ruse: Harkiv, Dnipropetrovsk, Donjeck, Luhansk dhe Zaporizhaja.

Ambasada e Shqipërisë në Poloni, rezidente në Varshavë, mbulon Ukrainën si dhe republikat baltike të Estonisë, Letonisë, Lituanisë. Shpresa Kureta, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, rezidente në Varshavë, me Dekretin 8549, datë 29 prill 2014 të Presidentit Bujar Nishani.

Info / Kush është Kush

Shahin Omarov është diplomuar në fakultetin ekonomik të akademisë shtetërore të transportit hekurudhor të Harkovit dhe në fakultetin ekonomik-jridik të akademisë kombëtare juridike të Ukrainës.

Kandidat i shkencave ekonomike, docent i katedrës së kibernetikës ekonomike Universitetit Kombëtar të Radio-Elektronikës të Harkovit. Zotëron 5 gjuhë.

Në vitet 2006-2010 ka qenë anëtar rajonal i Kievit në këshillin e Harkovit. Që nga fillimi i vitit 2012 – zëvendëspresident, dhe në vitin 2013 – presidenti i këshillit të biznesit ukrainas-azerbajxhanas. Gjithashtu, që nga fillimi i vitit 2012 është kryetar i Komitetit të Industrisë dhe Tregtisë, përfaqësues fuqiplotë i i Dhomës Ekonomike Evropiane të Tregtisë, Industrisë dhe Tregtisë në Ukrainë në provincën e Harkivit. Këshilltar i zëvendëspresidentit të administratës së provincës se Harkivit për çështjet ekonomike dhe problemet e komplesit agroindustrial.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/