TIRANE– Deputeti socialist, Eduard Shalsi gjatë një konference për shtyp tha se aktiviteti i firmës ligjore të vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi, është konflikt i pastër interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj, kryeministër i Shqipërisë.

“I kemi etiketuar dhe i konsiderojmë sjelljen, veprimet, aktivitetin e firmës ligjore të së bijës së kryeministrit si në konflikt të pastër interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj. Shqetësimi ynë ka qenë dhe mbetet se përse një biznesmen i huaj apo shqiptar duhet të kontaktojë, të bisedojë apo të negociojë me të bijën për aktivitete që do të licencohen nga i ati i saj kryeministër. Çfarë pune ka që pranon të bisedojë me biznesmenë që dalin nga zyra e babait të saj? Çfarë pune ka që ofron konsulentë apo shërbime për investitorë të huaj apo shqiptar që negociojnë me qeverinë? Po çfarë pune ka e bija e kryeministrit të tregtojë toka në të cilat do të licencohen aktivitete nga i ati i saj? Përse duhet studio ligjore e së bijës të jetë në shërbim të kryeministrit, që është konflikt i pastër interesi, apo një kryeministër në shërbim të studios ligjore të së bijës, që është kapje e hapur e shtetit? Është bërë e qartë tashmë pozita e vështirë në të cilën gjendet e bija dhe kryeministri, por sot, edhe më tepër se sa dje, nuk duhet t’i shmanget dhe mos t’i përgjigjet faktit që një biznesmen i huaj që kërkonte të investonte në Shqipëri e ka denoncuar, dhe denoncuar rëndë madje”,- tha Shalsi