Dy kushërinj shantazhonin një vajzë të re përmes disa videove personale. Policia ka vënë në pranga 18-vjeçarin Afrim Kurtin ndërsa është shpallur në kërkim kushëriri i tij Defrim Kurti.

Vajza që shantazhohej ishte e dashura e Afrim Kurtit dhe ky i fundit posedonte video të së resë dhe më pas i ka përdorur për shantazh me qëllim përfitim financiar.

E ndodhur në kushte të vështira, vajza e ka denoncuar rastin në polici dhe ka futur në kurth ish-të dashurin, duke i lënë takim për t’i dhënë paratë që kërkonte. Në momentin e dhënies së parave ka ndërhyrë policia duke e arrestuar në flagrancë.

Ndërsa është shpallur në kërkim edhe kushëriri i tij Defrim Kurti, pasi dyshohet se është i përfshirë gjithashtu në këtë shantazh.

Defrim Kurti është një emër i njohur për drejtësinë pasi në 2019-n është arrestuar dhe iu vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie” për vrasjen e Arben Gjecit. Ekzekutimi i këtij të fundit erdhi pasi Gjeci kishte lidhje me gruan e Kurtit, Elida Canin. Për vrasjen në atë kohë policia zbuloi se krimi ishte kryer nga vëllai i Elidës, Esat Cani.

Njoftimi i policisë:

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës u bë arrestimi në flagrancë i  shtetasit me iniciale A. K., 18 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin në kërkim me iniciale D. K, 30 vjeç, pasi në bashkëpunim kanë shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënie pasurie, një shtetase, me qëllim t’i përvetësonin shumën prej 15.000 lekësh të reja, për mospublikimin e fotove të saja në rrjetet sociale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.