Pas dëshmisë në Prokurori, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka folur për mediat lidhur me shantazhin që është bërë ndaj tij më 21 nëntor për shkak të një postimi në Facebook.

"Ju përgjigja ftesës së prokurorisë për të dhënë më shumë sqarime lidhur me një telefonatë që kam për shkak të detyrës sime pasur mëngjesin e 21 nëntorit, pas një statusi që kam vendosur në rrjetin social Facebook. Kam pasur një telefonatë për të cilën nuk dua të flas tani por kam dhënë gjithë sqarimet e duhura dhe të nevojshme pranë organit të akuzës. Këtë pres të ma thotë prokuroria. Telefonuesit se nuk ka qenë një, kanë qenë dy. Kam komunikuar me dy shtetas të ndryshëm në telefon, në gjuhën shqipe dhe në një gjuhë të huaj, të cilën nuk dua ta them për momentin. Më është kërkuar të ndryshoj qëndrimin tim publik, sigurisht për shkak të detyrës. Për të gjitha këto, kam vënë në dijeni organin e akuzës, i cili besoj se do ta zbardhë këtë çështje shumë shpejt. Janë detaje që s’do doja t’i bëja publike përsa kohë kam besim të prokuroria, organi i akuzës, që do të nxjerrë në dritë të drejtën shumë shpejt. Prokuroria është njohur me të gjitha faktet. Sapo kam marrë këtë telefonatë, pas disa orësh i jam drejtuar organit të akuzës, ku i kam vënë në dijeni për çfarë ka ndodhur. Kam besim tek drejtësia. Janë çështje që i kam sqaruar shumë mirë në prokurori dhe besoj se do t’i sqaroj në një moment të dytë", përfundoi Blushi.