TIRANE, 10 mars 2013 – Shantazhonte të dashurën me video intime, modeli do të përgjigjet tani para drejtësisë. Denis Dunisha, rreth 20 vjeç, i angazhuar në disa aktivitete në fushën e modës ka kërcënuar dhe shantazhuar të dashurën e tij se do bënte publike videon intime që kishte realizuar me të nëse kjo e fundit nuk i jepte para. Dosja me çështjen e Dunishës është dërguar në gjykatë dhe mbi të riun rëndon vepra penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Shantazhet ndaj të dashurës, modeli 20 vjeçar i ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe ka mundur të marrë prej studentes E.F., 21 vjeçe, dy herë shuma deri në 60 mijë lekë të rinj.
Njohja mes të dyve është bërë përmes rrjetit social Facebook dhe më pas të rinjtë kanë nisur të takohen në Tiranë. Policia e arrestoi vitin e kaluar Denis Dunishën, por më pas nisi procedimin ndaj tij në gjendje të lirë.
Sipas kallëzimit të bërë nga vajza, Dunisha i kishte pohuar se nëse nuk i jepte një shumë parash, do ta publikonte videon në internet dhe do të lajmëronte familjen e saj. “Më kalo një milion lekë në llogarinë time, ndryshe prindërit e tu do ta marrin vesh për lidhjen, por edhe për videon që unë kam në celular”, është një nga kërcënimet që ajo ka pretenduar.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





