Një rast shantazhi me materiale intime është zbardhur nga policia, duke çuar në arrestimin e një 17-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit të tij, 21-vjeçarit me iniciale E. D.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një shtetaseje 38 vjeçe, e cila denoncoi se dy persona e kishin kanosur për t’u dhënë shumën prej 500 eurosh, në këmbim të mos publikimit në rrjete sociale të fotove dhe videove intime të saj.
Menjëherë pas kallëzimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Privacy”, gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i të miturit dhe identifikimi i bashkëpunëtorit të tij.
Policia vijon punën për kapjen e 21-vjeçarit, i cili dyshohet gjithashtu si autor i disa vjedhjeve në subjekte të ndryshme në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 eurot e marra nga 38-vjeçarja, si dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.





