Nga Shpëtim Kodra

Një njeri e artist i veçantë, që i përjetoi ëndrrat në muzikë dhe aspiroi t’i realizonte përmes muzikës.  Krijimtaria ishte  liria,  ishte ushqimi  i shpirtit të tij.  Edhe pse pasioni i fuqishëm, në atë periudhë terri, dhune, mediokriteti e survejimi, i solli shpesh  vuajtje, në zemrat e dëgjuesve, në thellësitë e shpirtit të tyre, injektoi dritë, gjallëri, optimizëm. Në përfytyrimin e tyre mbeti qytetari fisnik, human e modern, që urrente padrejtësinë, vesin, hipokrizinë.  Krijuesit e shquar kanë gjykuar se nuk i mungonin as frymëzimi, as talenti e as vullneti dhe  kanë vlerësuar kontributin e tij të  veçantë në pasurimin e vlerave estetike të muzikës sonë të lehtë e klasike.

  Trualli ushqyes i talentit të tij të rrallë ishte rrethi  familjar,nga ku buruan mjaft muzikantë, disa prej të cilëve të njohur edhe në shkallë kombëtare. Që në moshë fare të re, me trombën e xhaxhait, Bedriut, ai nisi udhën e vështirë e të bukur të  muzikës, “rrënjës së të gjitha arteve”, siç e quan Klajst. Mbesa ime Lejla Agolli, “Mjeshtre e Madhe” në muzikën e lehtë dhe sinfonike. E motra, Vjollca Agolli violiniste. Babai i tyre, dr. Muhamet Agolli, mjek e violinist.  Dy nipër të tjerë, Fatmir dhe Atnand Zeqja, muzikantë. Shaqiri, me trombën e tij, në moshën 14 vjeçare, nisi pjesëmarrjen aktive në aktivitetet artistike, edhe në orkestrën frymore, të cilën më pas e drejtoi e për të cilën kompozoi marshe të bukura.

  Orkestra frymore e Durrësit, ku Shaqiri ishte pjesëtari më i ri, në vitin 1962 fitoi çmimin e parë në festivalin kombëtar në Vlorë. U vlerësua ai me fletë nderi, për pjesëmarrje aktive e punë të frytshme në orkestrën e madhe të Shtëpisë së kulturës, por edhe si instrumentist trombist në festivalin e parë  të  këngës së  autorëve  durrsakë më 1964.

  I pajisur me një inteligjencë të veçantë, u dallua si nxënës në të tria stadet shkollore parauniversitare. Pas disa vështirësish dhe konkurimit, ndoqi  yllin polar të  jetës, muzikën. Në Konservator, ku u dallua si student i shkëlqyer, me interesa mjaft të gjera profesionale, estetike, nuk reshti së ëndërruari e së punuari, për të krijuar individualitetin e tij të spikatur artistik, duke e privuar veten edhe nga ato dëfrimet e pakta të rinisë. Vepra e tij kërkoi mund, sakrificë, pasion.

  Për të  vlente si devizë shprehja e Niçes që “arti do të shpëtojë botën”. Prandaj ai iu përkushtua me mish e me shpirt muzikës, gjuhës universale që i frymëzon, i përbashkon dhe i fisnikëron shpirtërisht njerëzit, pa dallim në të gjithë botën. F.Nietzsche ka thënë edhe: “Muzika ka bukurinë e vetmisë, dhembjes, forcës e lirisë”. Pëlqente Cajkovskin e Shostakoviçin, por me  vështirësi e në fshehtësi, siguronte nga biblioteka e Universitetit literaturën për kompozitorët modernë kontemporanë, si Ravel, Stravinski e Bartok, që ishin të ndaluar për studentët. Ilir Dedja, pedagog i trombës, kujton  pjesëmarrjen e Shaqirit student  në formacionin orkestral të hotel “Vollgës”, të drejtuar nga  Rifat Dedja. Gjithashtu përmend përpjekjet e tij të mëvonshme për krijimin e një orkestre simfo-jazz, por, për shkak të rrethanave të kohës, koncerti iu anulua.  Ndërsa, kur punoi si pianist në hotel “Adriatik”në plazh, krijoi një formacion orkestral, me të cilin ekzekutonte pjesët më të bukura të  muzikës së lehtë, si dhe stilizime të pjesëve klasike, duke i surprizuar të huajt.

  Në vitet studentore e ka fillesën poemi i tij për violinë dhe orkestër në si-bemol-minor, që u luajt nga e mirënjohura Didi Tartari në mjaft koncerte. Edhe sot poemi tingëllon i freskët, aktual, duke shërbyer si repertor i klasës së violinës në lice, apo edhe në konservator. Para se të emërohej, u prezantua bindshëm në disa festivale të këngës në Durrës. Dirigjenti elegant 22-vjeçar do të drejtonte me profesionalizëm  45 instrumentistët e orkestrës simfonike, pedagogë dhe nxënës të talentuar të Shkollës së muzikës, si dhe amatorë të pasionuar, të moshave e të profesioneve të ndryshme, në operetën “Dallgët e Kuqe” të Enver Marës, me libret të H.Ramës dhe M.Gjelucit, në vitin 1970. Një vit më pas Shaqiri do të bëhej protagonist edhe i një ngjarjeje tjetër të shënuar. Orkestra simfonike e Durrësit, që ai  dirigjoi, meritoi  çmimin e parë në festivalin e orkestrave simfonike, në shkallë kombëtare. Programi përmbante uverturën e N.Zoraqit, “Per Gynt” të Grigut dhe “Korolianin” e Bethovenit. Kompozitori i mirënjohur Limoz Dizdari do të shprehej kështu për nivelin artistik të orkestrës:”E si mund ta luante më mirë një orkestër simfonike  këtë  koncert!”  Pedagogu i mirënjohur Nikolla Zoraqi, që e kish udhëhequr punën e tij si student, e çmonte mjaft Shaqirin e desh ta transferonte në Tiranë, por nuk mundi.

  Si dirigjent mjaft i aftë profesionalisht, e ndiente veten si një”vullkan të fashitun”,atë kohë kur mungonin të gjtha liritë njerëzore, si liria e fjalës, e mendimit, e lëvizjes etj. Prandaj dëshirën për të ndjekur nga afër e ah, sikur të dirigjonte orkestrën e Vjenës, e konsideronte me vetëdije të plotë si një ëndërr utopike, në atë kohë, kur edhe ëndrrat i kontrollonte “nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Si personalitet artistik poliedrik, me kulturë të gjerë letrare e muzikore, e kish nisur rrugëtimin e suksesshëm artistik në disa gjini e zhanre muzikore:  në muzikën e lehtë,  simfonike, në kolonën zanore të disa filmave, në këngët për fëmijë, në festivalet folklorike etj.

  Vitet 70 qenë vite të arta për krijimtarinë e Cylit-kështu e thërrisnin të afërmit, shokët, miqtë. Fiton çmime nderi në festivale të këngës, për të rritur e për fëmijë, në Durrës e në rrethe. Meriton çmimin e parë në festivalin e këngës në Durrës, me këngën “Me çiltërsinë e fëmijëve”, me tekst të Petraq Qafëzezit. Dominon lirizmi, por nuk mungojnë edhe notat epike në melodinë e këngëve të tij. Kështu kënga tjetër fituese “Heronjtë e lumit Ebro” mishëron me nota epike të madhërishme idealin republikan të lirisë, të cilin ia kundërve despotizmit. Kujdes të  veçantë i kushtonte vazhdimisht përputhjes, harmonizimit sa më të mirë të tekstit me muzikën. Në nje liber me poezi te Kadaresë ka nënvizuar me laps vargje të zgjedhura që bartin ide e mesazhe të fuqishme, si dhe nivel të lartë artistik. Poemën “Përse mendohen këto male” e ka ndarë në episode, tema, zhvillim e finale. Për poemë simfonike, me muzikë përshkruese, ëhtë frymëzuar nga figura e malësorit “me pushkën e gjatë në supet kockë e lëkurë”, nga peizazhi i vargmaleve “si vargan kuajsh”; si dhe nga historia, kur “shekujt si qentë të kafshuan|ku mundën të të hanë”.

  Vazhdimisht lexonte poezi të zgjedhura të autorëve tanë e të huaj e që koncentronin ide e mesazhe të fuqishme e humane. Kërkonte që poezia dhe melodia t’i shërbenin reciprokisht njëra-tjetrës, duke e vlerësuar logjikisht rolin e secilës e duke qenë i bindur se edhe muzika është “gjuha e shkruar e emocioneve poetike në pentagram”. Në të gjtha tekstet poetike që zgjidhte, kërkonte të mishërohej e bukura në sjelljet, punën, marrëdhëniet e njerëzve, duke mënjanuar tekstet me përmbajtje politike, propagandistike. Mori pjesë aktive në anketat muzikore të Radio Tiranës, ku 10 këngë të tij dolën fituese. Mjaft popullore u bë kënga e tij “Shokët”,e kënduar nga V.Zela e L.Zhegu, me tekst të Betim Muços, fituese e vendit të dytë në festivalin XIV  në R.T.V.

  Autorja e shumë teksteve të këngëve, Zh.Jorganxhi, kujton përgatitjet për festivalin XIV të këngës në R.T.V.  Vaçe Zela, nga këngët që luajti në piano Gjon Simoni, zgjodhi këngën e kompozitorit të panjohur, “të ndriturit” Shaqir Kodra. Kënga ish pa tekst dhe Vaçja kërkoi që t’i bashkohej një tekst për rininë. Mbi një poezi të Betim  Muços, Jorganxhi nisi ndërtimin e tekstit, të cilin më pas e përfundoi autori i poezisë. Teksti përshtatej bukur me muzikën optimiste:”Kur ishim fëmijë|ëndërronim të ardhmen tonë|më të bukur se çdo ëndërrim”…Kënga “Shokët”, e  kompozuar nga Sh.Kodra, e kënduar nga L.Zhegu e V.Zela, meritoi çmim të dytë e sukses të plotë. Në përgjithësi këngët e tij mishëronin ëmbëlsi, sinqeritet ndjenje, variacion ngjyrash, bukuri,qartësi, por edhe intonacione energjike, ritme të gjalla e gjithnjë me forcë shprehëse.

  Shaqiri ndiqte me shumë kënaqësi festivalin e San Remos, apo Canzonissiman. Dëgjonte me  vëmendje meloditë e bukura, por dhe tekstet tërheqëse që lidheshin aq natyrshëm. Përsëriste fjalët kuptimplote të këngës së G.Morandit:”Vedrai  che il mondo cambiera’|le sue ferite guarira’|…vedrai la notte finira’|e l’uomo si risvegliera’”…Ka dy lloj njerëzish në botë. Një palë kërkojnë luftë e konflikte, duke krijuar gjithnjë vatra tensioni dhe një palë tjetër që duan paqe, mirëkuptim. Shaqiri i përkiste grupit të dytë. Ishte me G.Morandin dhe shumicën që shpresojnë shërimin e plagëve, të shkaktuara nga luftrat, konfliktet. Për këtë kompozitori i ndjeshëm durrsak përdori, gjersa u nda nga kjo jetë, armën e artë, magjike –muzikën, e cila hyn thellë në zemrat e njerëzve. Pëlqente mjaft këngën  e Albano Carrisit “Il mattino”, bazuar në motivet e “La mattinata” të Leoncavallo-s, interpretuar nga Caruso e Boccelli. Po ashtu këngën e tij “Nessun dorma”,mbështetur në arien e operas “Turandot” të Puccini-t, kënduar nga Pavarotti e Domingo. Muzikën Shaqiri e shihte si një univers, si një botë unike, ku pjesët mund të komunikonin e të fuqizonin njëra-tjetrën. Ai ka kompozuar thuajse në të gjtha zhanret muzikore dhe ka synuar kurdoherë një harmoni sa më të përsosur ndërmjet fjalës e melodisë, vokalit dhe orkestracionit.

  Duke studjuar me mjaft seriozitet vlerat muzikore të traditës  folklorike dhe të muzikës sonë të kultivuar, krahas korifejve të artit muzikor botëror, Shaqiri i kushtoi kohën dhe mundin më të madh muzikës simfonike, të cilën e konsideroi si sfidën kryesore në jetën dhe veprimtarinë e tij. Nderohet me çmim për veprën instrumentale “Uverturë festive” në konkursin e rrethit më 1974. Merr çmim të dytë  në 35-vjetorin e U.P me poemën vokale simfonike kushtuar heroinës Liri Gero. Frymëzuar nga ngjarja dhe figura konkrete, ndërthur elementet e së bukurës me të madhërishmen.

  Poema e tij simfonike ekzekutohet nga orkestra e radios, me dirigjent Ferdinand Dedën më 1976. Fiton çmim të dytë në konkursin kombëtar në koncertet e nëntorit 1979 me “Fantazi për piano dhe orkestër”. “Rapsodi për violinë dhe orkestër” e ekzekuton Didi Tartari më 1980. Po nga violinistja  D.Tartari ekzekutohet, me orkestrën simfonike të radios më 1983 “Poemë për violinë e orkestër”.  Një fushë të veçantë, ku shfaqet talenti i rrallë i tij, përbën edhe muzika e filmave, si “Mysafiri”, “Plaku e hasmi” etj. Të ngjan  si një Ennio Morricone, kur ndjek aq bukur e natyrshëm ujëvarën e tingujve te “Një udhëtim i   vështirë”. Për krijimtarinë e Shaqirit,  kompozitori  i shquar Cesk Zadeja është shprehur:”Trashëgimia mjaft e pasur në kompozicion e Shaqir Kodrës është shquar për seriozitet e thellësi mendimi. Mendimi e ndjenja jetonin në harmoni në veprën e tij”.

  Si pedagog i lëndëve teorike në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Shaqiri  interesohej dhe kujdesej për studentët durrsakë që vazhdonin Institutin e Lartë të Arteve dhe përgatiste për secilin pjesë për instrumentet përkatëse. Pedagogu Skender Dedja shprehet:”Edhe për mua shkroi një pjesë me 12 variacione, mbi një temë popullore. Një kujtim i bukur e i paharruar për mua. Është një pjesë moderne për atë kohë  dhe mjaft e përshtatshme për violë. Dorëshkrimin origjinal e ruaj me dashuri në arkivin tim personal”. Metila Dervishi ka shkruar artikullin “Një personalitet që nuk duhet harruar”, ku thekson  faktin që Shaqiri kish dhunti të jashtëzakonshme;  që gjithë jetën e tij ia kushtoi muzikës dhe tërë sakrificat, mundimet i ndau me tastierën e pianos. Ajo nënvizon kontributin dhe rëndësinë  e  tij të veçantë në zhvillimin dhe pasurimin e muzikës së lehtë e simfonike në qytetit e lashtë e me tradita kulturore e muzikore të Durrësit

  Konsiderata të larta ruajnë edhe  mjaft kolegë të tjerë, artistë të njohur. Vladimir Caku, student në një kohë me Shaqirin, thotë:” Cili ishte njeri i përkryer, artist me bagazh kulturor, pasion të rrallë e talent të spikatur, muzikant poliedrik e mjaft i përgatitur. Mbaroi për kompozim, por ishte edhe një dirigjent mjaft dinjitoz. Kur orkestra simfonike u miratua ligjërisht, pikërisht ai e dirigjoi”. Ilir Dedja:”Shaqiri ishte natyrë artisti. Muzikant me horizont të gjerë, që i njihte të gjitha zhanret e muzikës. Kompozitor me vizion bashkëkohor dhe shumë prodhimtar”. Aksinja Xhoja:”Shaqiri ishte një dirigjent shumë i përgatitur e rigoroz i orkestrës sonë simfonike. I palodhur në punë. Dëgjues i vemendshëm i përshtypjeve pas provave koncertale,kur diskutonim dhe mbështesnim njëri-tjetrin për realizimin e ëndrrave tona profesionale. Ndiheshim si një familje e madhe. Ishte shumë i respektueshëm dhe tip romantik. I thoja me shaka:”Sei l’ultimo dei romantici”.

  Një stres të vërtetë shpirtëror e mendor përjetonte Shaqiri çdo vit, në prag e gjatë Dekadës së Majit, ku merrnin pjesë mjaft kompozitorë që banonin në Tiranë dhe nuk pranoheshin vepra të autorëve të rretheve. Një kufizim i padrejtë e tejet absurd nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artisteve. Kushtet e rënda të kohës së diktaturës, edhe për të, si për gjthë krijuesit e ndershëm, i krijuan shqetësime e provokime për “shfaqje të huaja”, për mospjesëmarrje të rregullt në mbledhjet e B.P apo në format e edukimit. Diktatura dhe emisarët e saj nuk i duronin dot “kapriçiot” e talenteve, të cilët, edhe kur i vlerësonin, i mbikqyrnin e i mbanin nën kontroll.

  Për pasojë, drejtoria dhe organizata bazë e partisë  e dënuan Shaqirin, duke e dërguar mësues në fshatin Shën Vlash, ku do të jepte  vizatim dhe ekonomi shtëpiake. Hidhnin poshtë, në mënyrë të paskrupullt e denigronin gjithë kontributin e një talenti të tillë. Megjithatë, edhe pse gjykohej per ndikime të huaja borgjeze në krijimtarinë e tij,  ai nuk u konformua kurrë dhe e ruajti të pacënuar personalitetin e tij të lartë  moral e artistik, shpirtin e tij fisnik e human. Edhe arti i tij kish synuar gjithnjë lartësimin dhe fisnikërimin shpirtëror të njerëzve. Kompozitori Rexhep Hasimi, mik i ngushtë, me të cilin ndante problemet ekonomike e sociale, është shprehur:”Shaqirin e vranë mediokriteti dhe Salierët e provincës”. Një atak kardiak fatal i shkaktoi vdekjen e parakohshme, duke mos e lënë të shpalosë plotësisht mundësitë e tij aq të shumta krijuese.

  Në një letër me shkrim dore të tij, ka rreshtuar disa vepra që dëshironte të ekzekutoheshin. Simfoni në 3 kohë. Poemë simfonike. Kantatë. Kuartet në 5 kohë. Suitë korale. Pjesë pianistike. Koncert për piano nr.1. Album pianistik. Album për harqe(violinë, violë). Album për vegla me tela. Album për instrumente frymorë. Rapsodi nr.1,2. Romancë vokale. Operetë. Lidhur me këto që kanë humbur, si dhe me ato që janë ekzekutuar, Mjeshtri i Madh i skenës, Mirush Kabashi, shprehet:”Janë të paktë ata krijues të talentuar që, në një jetë kaq të shkurtër e me probleme, lenë pas një pasuri kaq të vyer, por dhe kaq kujtime të bukura – model virtyti e qytetarie”.

  Shaqir KODRA qe dhe mbeti i ri dhe i pavdekshëm, i lirë e i gjallë, si vetë muzika e tij  që  përçon dallgëzimin dhe thellësinë e ndjenjave të një shpirti të trazuar.Vepra e tij përbën një mozaik shumëngjyrësh, me motive frymëzuese romantike e realiste,  qe zgjon emocione të thella, sepse është e mbrujtur nga ndjenja të fuqishme humane dhe mendime të thella shpresëdhënëse.

  Me rastin e 1-vjetorit të vdekjes, Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve, shoqata “Durrësi”, shkolla artistike “Jan Kukuzeli” dhe pallati i kulturës “A.Moisiu”, organizuan me 13.6.1997 aktivitetin përkujtimor “Nderim për kompozitorin Shaqir Kodra”. Në këtë veprimtari u analizua jeta, veprimtaria dhe krijimtaria e tij nga V.Llapa e R.Hasimi. U interpretuan krijime të tij. Pjesë për flaut (nga A.Hoxha). Variacione për violinë(S.Dedja). Miniaturë për piano(Xh.Turku). Pjesë për violonçel(O.Kuriçi). Valle për kuartet harqesh(Ikonomi, Tereziu, Radoja). Kënga “Shokët”(L.Zhegu).

  Mirënjohja dhe nderimi për këtë figurë të lartë qytetare, e nxitën shoqatën “Durrësi” t’i propozonte Bashkisë akordimin e titullit “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit” (pas vdekjes). Me 13.12.2002 shoqata “Durrësi” dhe Bashkia e Durrësit organizuan në pallatin e kulturës veprimtarinë “Nota të arta”, kushtuar tre kompozitorëve durrsakë Pjetër Dungu, Enver Mara dhe Shaqir Kodra. Nga krijimtaria muzikore e Shaqirit u interpretuan: Pjesë për piano (nga I.Guraziu). Djali, nëna e kënga. Kënga “Shokët”(V.Zela-regjistrim). Përshëndeti kompozitori Hajg Zaharian, i cili vlerësoi lart Njeriun dhe Artistin e shquar, në veprën e të cilit shkrihen humanizmi, profesionalizmi dhe vullneti i rrallë i një jete të thjeshtë e fisnike qytetare.

  Shtypi lokal e kombëtar kanë botuar, në gusht 1997, në qershor 2006 dhe në nëntor 2010 artikuj që i kushtohen personalitetit dhe veprimtarisë së tij. Së fundi Gëzim Kabashi ka botuar shkrimin e tij te “Shqiptarja. com” me 13 shtator 2015. Në vend të epitafit dhe si epilog po sjellim pak vargje postume nga poezia e Flora Gjondedajt (Dervishit), kushtuar kompozitorit Shaqir Kodra:”Ti çele si zambak maji|Dhe jeta jote zgjoi stuhitë|Trokite ti me zëra brigjesh|Për kohën gjysmë shurdhëri|Kaq shpejt u fike si një dritë!Por je në universin muzikë”.