26 shkurt 2015 – Lojtari shqiptar i Interit dhe i përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, duket se i preferon shumë këngët shqipe. Ai është i ftuari i ri i emisionit “Music Show” të televizionit zyrtar të klubit, ku shihet se ndër këngët më të pëlqyera nga 23-vjeçari janë këngët në gjuhën shqipe.
Në një promo të lansuar nga ky televizion për emisionin me mysafir special, Shaqiri duhet të zgjedhë dhjetë këngët e tij të preferuara. Teksa ai shikon për këngët që ka në telefon, kamera kap disa nga titujt e këngëve dhe emrat e këngëtarëve e që shumicë ishin shqiptarë.
“BimBimma, Besa ft. Dr. Mic, Blero, Ardian Bujupi, Arta Bajrami dhe B2N”, janë këngëtarët që transferi i ri i Interit i dëgjon. Shaqiri në listën e dhjetë këngëve të preferuara zgjodhi një këngë shqiptare. “Prej Zemrës” e kënduar nga reperi 2Ton ishte e dhjeta sa i përket preferencave të talentit me prejardhje nga Zhegra. Kënga “7/11” e Beyonce është më e preferuara nga Shaqiri, ndërsa në mesin e dhjetë më të pëlqyerave ishte edhe “Black Widow” e Rita Orës.





