Xherdan Shaqiri ka kritikuar lojtarët polakë pasi kanë festuar kualifikimin për në çerekfinale duke shkuar shumë pranë tifozëve zviceranë në stadiumin e “Saint-Etienne”.
Super goli i Shaqirit nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren Zvicrës, teksa ekipi i tij humbi pas penalltive. Shumë prej lojtarëve polakë shkuan në drejtim të tifozëve zviceranë për të festuar fitoren, diçka që Shaqiri ka kritikuar kur foli për mediet në përfundim të ndeshjes.
“Nuk e di çfarë të them,” shprehet zvicerani me origjinë kosovare.“Ata janë të gjithë lojtarë profesionistë dhe duhet ta dinë që duhet të shkojnë në krahun tjetër për të festuar. Tjetër nuk kam çfarë them.” Goli akrobatik i Shaqirit me siguri është ndër më të bukurit në Evropian, por mesfushori i Stoke City mendon se goli i bukur nuk mund të festohet pas humbjes së ekipit.
“Më duket se nuk më njeh mirë – pasi unë kam shënuar shumë gola të bukur!” Tha Shaqiri me shaka kur u pyet nëse goli i shënuar kundër Polonisë është më i bukuri në karrierën e tij.





