9 janar 2015 – Xherdan Shaqiri është shprehur i lumtur me transferimin e tij te Interi. Në intervistën e parë pasi arriti në Milano, mesfushori shqiptar ka thënë se ndihet i lumtur dhe që të dielën dëshiron të luajë.
"Ndihem mirë. Jam i lumtur, forca Inter. Gati për të dielën? Po, dua të luaj qysh të dielën por nuk e di. Tifozët? Fantastikë, i dua këta tifozë, janë fantastikë!", ka deklaruar Shaqiri.
Ai është pritur nga qindra tifozë në aeroport. Xherdan Shaqiri që luan për kombëtaren e Zvicrës, mbërriti në Milano dhe kreu vizitat mjekësore. Tifozët zikaltër u panë shumë entuziast me afrimin e tij, ndërsa mediat kryesore sportive në vendin fqinj i kanë kushtuar mëngjesin e sotëm faqet e tyre të para. Sulmuesi i krahut vjen te Interi i huazuar me detyrim blerjeje në fund të sezonit dhe transferimi do të kapë vlerën e 15 milionë eurove.





