29 prill 2015 – Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë deputetët e mazhorancës, në lidhje me propozimin e deputetes demokrate, Majlinda Bregu, për fshirjen e komenteve që përmbajnë sharje, ofendime dhe denigrime për identitetin e çdo personi në portalet online.
Dje në Komisionin e Ligjeve, ku nisën të diskutohen dy propozimet e zonjës Bregu, deputetja Vasilika Hysi, tha se duhet më shumë kohë për të marrë një vendim për këtë proces. Sipas saj, shumë shpejt Komisioni Evropian kundër racizmit dhe intolerancës do t’i përcjellë Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës një rekomandim për të detyruar mediat të vetërregullohen, por njëkohësisht për të gjetur instrumente në ligje civile që mediat të pastrohen nga gjuha e urrejtjes, nga racizmi dhe nga shprehjet denigruese ndaj grupeve të caktuara sociale.
“Përderisa do të ketë dhe një rekomandim të tillë, ndërkohë që edhe BE-ja po punon në këtë fushë nëpërmjet Agjencisë që merret me mbrojtjen e të drejtave në fushën e mosdiskriminimit, mendoj që edhe me mirëkuptimin e znj. Bregu do të doja ta dëgjoja dhe mendimin e koleges time, kjo nismë mos ti shkonte Kuvendit, pra për miratim, të merrnim kohën e duhur dhe t'i kërkonim ndihmë medias dhe ekspertëve që të bënin një rregullin sa më të mirë pa cenuar lirinë e shprehjes”, tha Hysi.
Nga ana tjetër deputetja Majlinda Bregu theksoi se nuk do të tërhiqet, por do të vazhdojë t’i qëndrojë propozimit të saj.
Edhe në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook, ajo shkruan se projektligji për fshirjen e komenteve fyese/ poshtëruese në faqet e mediave online, do të vazhdoje diskutimin në komisione.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/