Kandidati koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në Durrës, Ardian Muka ka akuzuar bashkinë Durrës se po asgjeson historinë e qytetit.

Përmes një postimi në “Facebook”, Muka thotë se rivitalizimi i sheshit “Liria”, “erdhi me një kosto kulturore dhe morale për qytetarët e Durrësit.”

Ai thotë se shatervani i Durrësit, i ndërtuar në vitin 1928, përfaqësonte vlerat historike dhe artistike të periudhës që ai është ndërtuar, si dhe ishte simbol i qytetit.

Urbanisti Muka shprehet se bashkia Durrës nuk mori kurrë konsensusin e qytetarisë durrsake për zhvendosjen e tij edhe pse për 90 ditë u mblodhën 6500 firma kundër këtij projekti.

Ndërkohë, ai shton se në të ardhmen nuk do të merret asnjë vendim i bashkisë pa u dëgjuar më parë qytetarët.

Postimi i plotë:

Rivitalizimi i qendrës historike të qytetit të Durrësit, sheshit “Liria”, erdhi me një kosto kulturore dhe morale për qytetarët e Durrësit.

Ne u angazhuam dhe u përpoqëm për 90 ditë për të mbledhur 6500 firma të qytetarëve të cilët dinin vlerat e këtij objekti.

Shatervani i Durrësit, si pjesë e një ansambli arkitekturor të ndërtuar në vitin 1928, iu nënshtrua një ndërhyrje për asgjësim të kësaj memorie historike.Vlerat artistike dhe historike të periudhës që përcaktonte ky objekt, ishin një nga simbolet e qytetit dhe pikë referimi për shumë breza.

Prishja apo zhvendosja e tij nga qendra e qytetit, nuk mori kurrë konsensusin e qytetarisë durrsake.

Vendimet e Bashkisë së Durrësit nuk do merren më pa dëgjuar qytetarët.