· Unë nuk shkoj t’i bëj homazhet e fundit shatërvanit, pasi mes nostalgjikëve të zgjuar befas nga letargjia shoh të ketë edhe Maksutër me aftësi kameleoni.
Nga Valentin Stanaj*
Durrës, 2 shtator 2014 – Lum shatërvani që është tokë shtet. Përse nuk patën të njëjtën ndjeshmëri qytetare shumë e shumë hapësira të tjera edhe ato të Durrësit, pjesë e ansamblit të trashëgimisë së tij kulturore dhe historike. Përse nuk u mblodhën qytetarët për ish-Shtepinë e Pionierit, për ish Lulishten 1 Maji që u sakrifikua për hir të një komuniteti qe në rradhë të parë ishin edhe ata qytetarë të tij? Përse nuk u mblodhën iniciuesit, qytetarët, shoqatat dhe individë me një përfaqësim më të lartë për ish-Fabrikën e Cigareve, për kodrat rreth Vilës së Zogut, që pasi iu shkul prej kraharorit kjo mushkëri e shëndetshme jetëdhënëse, për vite të tëra e panë më të udhës të investohej gjetkë sesa në rrugën që të çonte drejt saj duke e certifikuar kështu si zonë pa interes? Përse nuk u mblodhën për ansamblin urbanistik përpara Mauzeleumit të Dëshmorëve që po kalohet në heshtje, për vijën bregdetare nga hotel “Kështjella” e deri në Currila ku vazhdohet të investohet marrëzisht mbi një sipërfaqe që ditën shitet për turizëm “elitar”, ndërsa natën derdhin ujërat e zeza pa pyetur për frekuentuesit e tyre bukëdhënës?
Ku ishte kjo zhurmë kaq ndjellëse kur mbledhje fantazëm ngulnin gjatë natës me një babëzi të heshtur konsensuale pykat e fundit mbi trupin e drobitur të një qendre që tashmë, transformuar nën një petk krejt tjetër, kerkojnë t’i mbrojnë një nder që nuk e ka. Shatërvanin ka gjasa ta shpëtojë pikërisht të qënit e tij jetim. Pavarësisht se rreth tij mblidhen qindra njerëz, ai është jetim. I vetëm dhe i zhveshur nga çdo interes privat. Nuk ka kush t’i dalë zot, pasi rreth tij nuk ndërthuren interesa përfitimi për metra katror ndërtimi për banim apo shërbime.
Askush nuk vë dot gjoksin para tij, duke përdorur terrorin, kërcënimin, dhunën e hapur ndaj atyre që nesër nën buzëqeshjen fallco ngjizur prej frikës, do i lartësojnë dhunuesit e tyre me tituj nderi, për aftësinë e tyre nënshtruese duke i kthyer në identitet të vet qytetit. Eshtë dëshpëruese analiza që i bëhet një studimi që propozon një ansambël administrativ me shumë elementë përbërës, me një objekt të vetëm.
E pra këtij sheshi, për sa i përket hyzmetit të informimit dhe transparencës nga ana e institucionit të Bashkisë, i është dhënë ashtu siç nuk është bërë për hapësira të tëra të qytetit. Merremi me fotot e bëra rreth një jetimi që duket sikur ka ardhur nga romanet satirikë me historianë dhe kameleonë, merremi me Maksutër pasi kuptojmë fare mirë aftësitë e fituara prej kameleoni duke fokusuar vëmendjen jo tek analizat e thelbit por tek jetimi, si për t’i marrë dhe përdorur edhe vlerën e fundit që i ka mbetur, e mandej nesër për të thënë ne e bëmë tonën.
Është tepër vonë. Jetimi i gjorë nuk na shpëton dot më. Nuk më kthen dot mbrapsht atë çfarë ishte qyteti im i fëmijërisë, pasi fotot unë vërtet i bëja rreth tij, por për piknik dilja tek vila, për plazh shkoja në Currila dhe darkave me prindërit dilja nga Vollga apo lulishtja 1Maji. Unë nuk shkoj t’i bëj homazhet e fundit shatërvanit, pasi mes nostalgjikëve të zgjuar befas nga letargjia shoh të ketë edhe Maksutër me aftësi kameleoni. Nuk dua të marr pjesë në këtë shpërdorim të fundit. Edhe pse nesër mund të jetë përsëri aty, do të shkoj më fëmijët e mi jo për t’i bërë fotografi por nëpërmjet historisë së tij, t’i mësoj të jenë të lirë.
*Autori i këtij opinioni është arkitekt
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





