Një ditë pas publikimit të videos kur drejtuesi i një mjeti X5 shante rëndë policin pas një debati për gjobë, policia e Kukësit sqaron ngjarjen, duke thënë se autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

“E.T., 25 vjeç, banues në fshatin Morin, Kukës po kërkohet pasi ka fyer e kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë, pas një gjobe, për parkim të gabuar”– njofton policia.

Sipas policisë, dje në qytetin e Kukësit, në rrugën e Xhamisë, punonjësi i policisë së Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Kukës pasi ka konstatuar mjetin tip “BMV X-5”, me targa AA 469 IM, i cili ishte parkuar në rrugë kalimi mjetesh (parkim i gabuar), ka ndaluar për të vendosur masë administrative.

Në momentin punonjësi i policisë rrugore që ka plotësuar masën administrative për shkeljen e konstatuar, është afruar drejtuesi i mjetit shtetasi E.T., i cili e ka kundërshtuar e fyer punonjësin e Policisë.

Nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, u bë e mundur bllokimi i mjetit tip“BMV X-5”, me targa AA 469 IM. Si dhe po punohet për kapjen e drejtuesit të mjetit i cili është shpallur në kërkim.