Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, pritet të përballet me pezullimin nga kualifikueset e Kupës së Botës, ndoshta që të martën, kundër Bolivisë, pasi është raportuar për një shpërthim gojëndyrë të tij ndaj gjyqtarit. Messi shënoi golin e vetëm të fitores 1-0 të së enjtes ndaj Kilit, teksa goditi saktë nga pika e bardhë, pas arbitri Sandro Ricci dha një penallti të dyshimtë, për një shtytje ndaj Angel Di Maria. Por, ylli i Barcelonës, u zemërua nga gjyqtari anësor, Marcelo Van Gasse, në pjesën e dytë, të cilin thuhet se e ka abuzuar verbalisht.
“F*** off, your mother’s c***,” është raportuar që ai t’i ketë bërtitur Van Gasse, para se të refuzonte për t’i dhënë dorën mbas vërshëllimës përfundimtare. Ndërsa incidenti nuk ishte përfshirë në raportin fillestar të zyrtarëve të ndeshjes, ai është shtuar të hënën dhe është dërguar në “Conmebol”. Komisioni Disiplinor tani do të duhet të vendosë se çfarë dënimi do të japë për Messin dhe, më e rëndësishmja, kur kjo duhet të hyjë në fuqi. Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) është në dijeni të sanksioneve të mundshme dhe pranoi se kapiteni i saj nuk duhet të trajtohet ndryshe nga çdo lojtar tjetër, pavarësisht nga pozita e tij në botën e futbollit.
Zv.presidenti i AFA, Armando Perez, tha për “La Tercera”: “Nëse ai u soll keq, atëherë duhet të ndëshkohet si çdo lojtar tjetër. Nuk duhet të funksionojë një marrëveshje ndryshe për të, vetëm për shkak se është lojtari më i mirë në planet. Mua më duket se është në një pozicion të hetueshëm. “Conmebol” kërkon të gjithë informacionin. Çdo gjë që ne dimë duhet t’ia raportojmë.” Argjentina aktualisht renditet e treta në eliminatoret e Amerikës së Jugut, pas Brazilit dhe Uruguajit.