Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan dje se deri në 8,000 ushtarë të Koresë së Veriut kanë arritur në rajonin kufitar të Rusisë me Ukrainën. 

“Ushtarët koreano-veriorë janë gati për operacione luftarake kundër Ukranës. Ne mendojmë se në Rusi gjenden rreth 10,000 trupa nga Koreja e Veriut dhe sipas informacioneve të fundit, deri në 8,000 prej tyre janë vendosur në rajonin e Kurskut”, tha ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken. 

Duke cituar inteligjencën amerikane, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se rreth 8,000 nga 10,000 trupat e Koresë së Veriut që besohet të jenë në Rusi, kanë shkuar në rajonin kufitar të Kurskut. 

“Ne nuk i kemi parë ende këto trupa të dislokohen në luftime kundër forcave ukrainase, por ne supozojmë presim që kjo të ndodhë në ditët në vijim,” tha Blinken në një konferencë shtypi pas bisedimeve katërpalëshe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Koresë së Jugut. 

Kjo është hera e parë që Rusia ka ftuar forca të huaja në tokën e saj në më shumë se një shekull. 

Rusia ka trajnuar trupat e Koresë së Veriut në artileri, dronë, operacione artilerie bazë dhe pastrimin e llogoreve, “duke treguar se ata synojnë plotësisht t’i përdorin këto forca në operacionet e vijës së parë”, tha Blinken. 

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se trupat e Koresë së Veriut po furnizohen me uniforma ruse. 

Shërbimi sekret i Koresë së Jugutka njoftoi disa ditë më parë se ushtarët nga Koreja e Veriut që janë vendosur në Rusi janë të veshur me uniforma ruse dhe u janë dhënë identitete të rreme për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë. 

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e mohoi praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut dhe tha se edhe Ukraina mbështetet tek personeli i vendeve të NATO-s. 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke folur për mediat koreano-jugore, denoncoi atë që ai e quajti mosveprim nga aleatët e tij dhe tha se ishte i befasuar nga “heshtja” e Kinës për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut. 

Seuli ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke ofruar teknologji ose ekspertizë të re Phenianit në këmbim të armëve dhe trupave për t’i ndihmuar ata të luftojnë Ukrainën. 

Koreja e Veriut ka mohuar dërgimin e trupave në Rusi, por në komentin e parë në mediat shtetërore javën e kaluar, zëvendësministri i saj i Jashtëm tha se nëse një dislokim i tillë do të ndodhte, do të ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.