Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë prej 400 milionë dollarësh, përfshirë raketa të mbrojtjes ajrore, dronë të vegjël dhe mjete të blinduara, njoftoi Pentagoni të martën.

Armët po sigurohen përmes një ligji që e autorizon presidentin të ofrojë ndihma ushtarake për vendet e huaja në raste emergjente. Ndihma të tilla mund të arrijnë destinacionin pak ditë pas miratimit. Materialet do të vijnë nga inventari i tepërt i Shteteve të Bashkuara.

Njoftimi për ndihmën vjen në një kohë kur trupat ukrainase kanë ndërmarrë një kundërofensivë të ngadaltë kundër agresorit rus.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ndihma ka për qëllim “forcimin e trupave guximtare të Ukrainës në fushën e betejës” për t’i ndihmuar ato që ato të rimarrin territorin sovran të Ukrainës.

“Populli i Ukrainës vazhdon të mbrojë me guxim vendin e tij kundër agresionit rus, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj të pamëshirshme dhe të egra që po vrasin civilët ukrainas dhe po shkatërrojnë infrastrukturën civile”, tha zoti Blinken në një deklaratë.

Paketa e re e ndihmës përfshin një gamë të gjerë municionesh, duke filluar nga raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, sistemet ajrore NASMS, Stinger, municione për sistemet e lëvizshme HIMARS, automjete të blinduara dhe një sërë raketash të tjera.

Për herë të parë Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Ukrainës dronë survejimi të tipit Black Hornets, dronë të vegjelë nano që përdoren kryesisht për zbulim. Aleatë të tjerë perëndimorë e kanë furnizuar Ukrainën më parë me dronë të tillë.

Që kur Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, SHBA-ja ka ofruar më shumë se 43 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, Ukraina tha se mbrojtja ajrore ka gjurmuar dronë Shahed të prodhuar nga Irani, të cilët Rusia i përdori për të goditur Kievin gjatë natës, sulmi i gjashtë me dron në kryeqytet këtë muaj.

Gjithashtu të martën, ligjvënësit rusë miratuan një projekt-ligj që zgjat kufirin e moshës për sherbim të detyrueshëm ushtarak nga 27 në 30 vjeç, një veprim që duket se synon të zgjerojë grupin e rekrutëve për luftën në Ukrainë. Masa u miratua menjëherë të martën nga Dhoma e Ulët dhe duhet të marrë miratimin e Dhomës së Lartë të Parlamentit rus përpara se të nënshkruhet në ligj nga Presidenti Vladimir Putin. VOA