Hamasi po pengon marrëveshjen e armëpushim 6-javor në Gaza. Është kjo akuza që lëshohet nga funksionarët e lartë të administratës amerikane të Joe Biden, ndërsa sqarojnë se militantët palestinezë po refuzojnë që të lirojnë pengjet e sëmurë, të moshuar dhe gra që mbahen në enklavë që prej 7 tetorit të kaluar.

Kjo vjen në një kohë kur Izraeli po rregullon raportet e krisura me Shtetet e Bashkuara. Tel Avivi e priti mirë propozimin amerikan për ndërtimin e një porti të improvizuar në Gaza për dërgimin e ndihmave humanitare.

Gjithashtu ka sqaruar çështjen e të shtënave në lidhje me kamionët e ndihmave. Ushtria izraelite thotë se po heton rastin në fund të shkurtit që shkaktoi vdekjen e 104 palestinezëve, ndërsa mbrohet duke pretenduar se trupat nuk kanë qëlluar kundër autokolonës së ndihmave humanitare, por kundër një numri të dyshuarish që u janë afruar ushtarëve duke përbërë një kërcënim për ta.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se “krijimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve izraelit në Bregun Perëndimor, bashkë me zhvendosjen e civilëve nga izraeli për në tokën e pushtuar, përbën një krim lufte sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Për komisionerin e lartë për të drejtat e njeriut, situata ka prekur nivele shokuese dhe po eliminon çdo mundësi për krijimin e një shteti palestinez. Nga ana tjetër, Tel Avivi ka reaguar duke kërkuar që OKB të veprojë kundër dhunës seksuale të kryera nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit.