Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin të premten anuloi marrëveshjen të arritur në fillim të kësaj jave me Khalid Sheikh Mohammed – ideatori i supozuar i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA – dhe dy nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët po mbahen në burgun ushtarak të Guantanamos në Kubë.

Pentagoni njoftoi të mërkurën se Khalid Sheikh Mohammed dhe dy nga shokët e tij të burgosur – Walid bin Atas dhe Mustafa al-Hawsawi – kishin rënë dakord të pranonin fajësinë, pa dhënë detaje mbi marrëveshjen. Një zyrtar amerikan tha se të pandehurit ka të ngjarë të kenë pranuar marrëveshjen në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.

Por të premten, sekretari amerikan i Mbrojtjes i hoqi Susan Escalier, e cila mbikëqyr gjykatën ushtarake në Gjirin e Guantanamos, autoritetin e saj për të bërë zgjidhje jashtë gjykatës në këtë rast, duke marrë vetë rolin. “Në fuqi menjëherë dhe në ushtrim të autoritetit tim, po tërhiqem nga tre marrëveshjet paraprake”, nënvizon Lloyd Austin.

Udhëheqësit republikanë në Kongres kishin kritikuar ashpër marrëveshjen për pranimin e fajësisë me tre të pandehurit në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Pentagon.