Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe besojnë se ka ende një shans për të arritur një marrëveshje me Rusinë dhe për të ulur tensionet përsa i përket situatës së Ukrainës.

Udhëheqësit e SHBA-së dhe Britanisë mendojnë se mund të gjendet zgjidhje diplomatike, edhe pse paralajmërojnë se situata është ende e brishtë.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri britanik Boris Johnson zhvilluan një bisedë 40 minutëshe me njëri-tjetrin dhe ranë dakord se mbetet akoma e hapur mundësia e një marrëveshjeje.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “dy udhëheqësit theksuan se çdo inkursion ndaj Ukrainës do të rezultonte një krizë e tejzgjatur për Rusinë, më pasojë në shkallë të gjerë si për Rusinë ashtu edhe për botën”.

Kryeministri Johnson u shpreh se Britania e Madhe është e përgatitur të bëjë gjithçka për të ndihmuar, ndërsa Presidenti Biden iu përgjigj: “Ne nuk do të shkojmë askund pa ty”.

Pavarësisht se pranë kufirit me Ukrainën ka zhvendosur 100 mijë ushtarë, Rusia gjithmonë ka mohuar planet për ta pushtuar.

Si pjesë e përpjekjeve diplomatike, sot Kancelari gjerman Olaf Scholz do të takohet me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Ndërkohë që një ditë më parë, Scholz zhvilloi një takim me Presidentin ukrainas.