Ekipi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump po shqyrton opsionet për të shënjestruar Iranin, duke përfshirë një sulm të drejtpërdrejtë në objektet e tij bërthamore, raportoi sot Wall Street Journal.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trump u tërhoq nga marrëveshja shumëpalëshe bërthamore e vitit 2015, e cila synonte ta bënte më të vështirë për Iranin marrjen e një arme bërthamore dhe zhvilloi atë që ai e quajti një “fushatë presioni maksimal”.

Ndihmësit e Trump tani po diskutojnë një strategji “presioni maksimal 2.0” , e cila mund të përfshijë veprime të drejtpërdrejta ushtarake, raportoi gazeta të premten.

Trump mësohet se i ka thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një telefonatë të fundit se ai nuk dëshiron që Irani të bëhet bërthamor nën mandatin e tij. Teherani mohon se dëshiron të arrijë kapacitetin bërthamor, por ka grumbulluar një sasi të konsiderueshme uraniumi shumë të pasuruar si hakmarrje për sabotimin e marrëveshjes bërthamore nga Trump.

Sipas WSJ, administrata e ardhshme po kërkon një opsion, i cili nuk do ta tërhiqte SHBA-në në një luftë të madhe në Lindjen e Mesme.

Që nga viti i kaluar, Izraeli ka zhvilluar fushata të mëdha ushtarake kundër Hamasit dhe Hezbollahut, lëvizjet militante që konsiderohen të jenë pjesë e “boshtit të rezistencës” rajonale anti-izraelite të udhëhequr nga Irani. Siria tani është në rrëmujë, pasi grupet e armatosura rrëzuan qeverinë e Bashar al-Assad, një aleat i vjetër i Teheranit, javën e kaluar.

“Ndihmësit dhe të besuarit e Trump që mbështesin opsionet ushtarake për mandatin e tij të dytë thanë se ideja kryesore do të ishte mbështetja e sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane si Natanz, Fordow dhe Isfahan, dhe madje potencialisht që SHBA të marrë pjesë në një operacion të përbashkët”, raportoi WSJ.

Times of Israel raportoi këtë javë se qeveria Netanyahu po përgatit sulme kundër objekteve bërthamore iraniane. Objektet janë shumë të fortifikuara, kështu që nuk është e qartë nëse ushtria izraelite mund të shkaktojë dëme të mjaftueshme me armët konvencionale në arsenalin e saj. SHBA mund të sigurojë bombardues të rëndë dhe bomba bunker-buster për një operacion të tillë.

Këtë vit, Irani dhe Izraeli kryen sulme të drejtpërdrejta kundër njëri-tjetrit në dy raste. Teherani po hakmerrej për ato që i konsideronte si akte të agresionit izraelit, duke përfshirë sulmin ajror në prill në konsullatën iraniane në Damask dhe vrasjen në korrik të liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh gjatë vizitës së tij në Teheran.