Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) njoftoi se do të ndalojë mbledhjen e tarifave doganore të vendosura në bazë të Aktit të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA), duke filluar nga nesër, e martë, 24 shkurt.
Vendimi vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili rrëzoi të ashtuquajturat tarifa “reciproke” të presidentit Donald Trump.
Në një mesazh drejtuar operatorëve të transportit përmes Shërbimit të mesazheve të Sistemeve të Kargos (CSMS), agjencia bëri të ditur se do të çaktivizojë të gjithë kodet tarifore që lidhen me dekretet e mëparshme të presidentit Trump mbi bazën e IEEPA-s, duke nisur nga e marta.
Pezullimi i mbledhjes së tarifave sipas IEEPA-s përkon me vendosjen nga Trump të një tarife të re globale prej 15%, e miratuar mbi një bazë tjetër ligjore, për të zëvendësuar ato që u shfuqizuan nga Gjykata Supreme të premten.
CBP nuk dha asnjë shpjegim se përse vijoi mbledhjen e tarifave në pikat hyrëse doganore edhe në ditët pas vendimit të Gjykatës Supreme, ndërsa mesazhi i saj nuk përmbante informacion në lidhje me rimbursime të mundshme për importuesit.
Në njoftim theksohej se pezullimi i mbledhjes së këtyre tarifave nuk prek asnjë tarifë tjetër të vendosur nga Trump, përfshirë ato të parashikuara nga neni 232 i ligjit për sigurinë kombëtare dhe neni 301 i ligjit për praktikat e padrejta tregtare.
“CBP do të ofrojë udhëzime shtesë për komunitetin tregtar përmes mesazheve në CSMS, sipas nevojës”, theksoi agjencia.





