Pas tensioneve të krijuara në raportet mes tyre, Shtetet e Bashkuara i shtrijnë Kosovës dorën e paqes: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i tha REL-së se pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës pohoi në disa përgjigje me shkrim se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me ekzekutivin e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik. “Kjo do të kërkojë veprim për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Ky qëndrim i Ambasadës vjen pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një interviste në televizionin lokal Kanal 10 se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale. Më 11 dhjetor, Kurti gjithashtu kishte këmbëngulur se sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet mes dy vendeve “kurrë nuk kanë qenë më të mira”, e kjo pavarësisht faktit që shtatorin e këtij viti SHBA-ja njoftoi për pezullim për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, e nxitur pikërisht prej shqetësimeve të lidhura me veprimet e qeverisë së tij në detyrë.

Nga Ambasada Amerikane po ashtu qenë shprehur të “zhgënjyer nga veprimet” e Kurtit, duke theksuar se qëndrimet e tij kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.