DURRËS, 16 maj 2013 –Në vitet 1960 në Shqipëri qarkullonte anekdota se durrsakët presin të ngrijë deti të shkojnë me nallane në Itali (thënia i atribuohej të famshmit humorist popullor, durrsakut tipik, berberit të nderuar Osman Rexha).
Kur kryeministri shqiptar Sali Berisha deshi të tallej me durrsakët 50 vjet më vonë, më 14 maj 2013, se “me reforma të thella do heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën”, nuk kaluan as 24 orë dhe përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë bëri të qartë se nuk ka ngrirë ende Atlantiku për të shkuar me nallane (po një anekdotë popullore shqiptare fjalën “Amerikë” e përkthen me “hA–merr-ik-ë”)!
Hakmarrje “e ëmbël” në emër të të ndjerit Osman Rexha.
Populli shqiptar ka një thënie të urtë për ata që shohin ëndrra me sy hapur, apo që dëshirojnë të bëjnë gjëra të pamundura: “Hip këtu (në majë të gishtit të shkurtër) të shohësh Stambollin (ishte “Uashingtoni” otoman)!”.
Në ambasadën amerikane e kanë mësuar goxha mirë gjuhën shqipe dhe dinë ta “përkthejnë” idiomën e vjetër për Stambollin: “Ligji aktual (amerikan) kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre për qind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera. Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 për qind”.
Nga ana tjetër, Kryeministri dhe njëkohësisht kryetar i PD-së, është i informuar se ndonjërit prej kandidatëve të djathtë për deputet në qarkun e Durrësit i është refuzuar viza amerikane edhe kur ishte dikur deputet.
Është për t’u vënë në dukje fakti se i vetmi ambasador në Tiranë që nuk i ka bërë ende vizitë kortezie z. Aldo Bumçi me rastin e emërimit Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është ai amerikan, z. Aleksandër Arvizu.
Ja 37 shtetet, qytetarët e të cilëve mund të hyjnë në SHBA pa vizë
01. Andorra
02. Australia
03. Austria
04. Belgjika
05. Britania e Madhe
06. Brunei
07. Çeke (Republika)
08. Danimarka
09. Estonia
10. Finlanda
11. Franca
12. Greqia
13. Gjermania
14. Holanda
15. Hungaria
16. Irlanda
17. Islanda
18. Italia
19. Japonia
20. Koreja e Jugut
21. Letonia
22. Lihtenshtejni
23. Lituania
24. Luksemburgu
25. Malta
26. Monako
27. Norvegjia
28. Portugalia
29. San Marino
30. Singapori
31. Sllovakia
32. Sllovenia
33. Spanja
34. Suedia
35. Tajvani
36. Zelanda e Re
37. Zvicra
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





