Donald Trump ka pësuar dy humbje të rënda në zgjedhjet brenda republikanëve për kandidatin presidencial në Shtetet e Bashkuara. Favoriti për të qenë përfaqësues i Partisë Republikane në zgjedhjet e nëntorit u mposht në Uajoming dhe në Uashington D.C. Në Uajoming, Ted Cruz fitoi nëntë nga 12 delegatët. Senatori i Teksasit triumfoi me rreth 66 përqind të votave, me një diferencë të theksuar përpara senatorit tjetër Marco Rubio, ndërsa për Trump shkuan vetëm 7.2 përqind e votave.
Në kryeqendrën federale, mikrokozmosin politik më të favorshëm për demokratët sesa republikanët në garën zgjedhore në rang kombëtar, Marco Rubio përparoi shumë lehtë ndaj John Kasich, 37.3 me 35.5 përqind të votave, kurse Trump mori 13.8 përqind.
Rubio fitoi dhjetë nga 19 delegatët në Uashington, kundrejt nëntë për Kasich, duke e lënë të anashkaluar Trump, i cili megjithatë gjendet përpara në garën e përgjithshme.