SHBA– Pjesa më e madhe e rajonit verilindor të Shteteve të Bashkuara mbetet e bllokuar dhe qindra mijëra banorë janë pa energji elektrike, pas një stuhi dëbore me erëra që e kaluan shpejtësinë e 100 kilometrave në orë. Sipas Zërit të Amerikës stuhia po zhvendoset në det.
Banorët e Nju Jorkut dhe gjashtë shteteve të Nju Englandit po pastrojnë dëborën për të lëvizur makinat pas stuhisë që la shumë prej tyre të bllokuar dhe 700 mijë shtëpi pa energji elektrike. Mijëra fluturime u anulluan në Konektikat, Masaçusets dhe Rode Ijlënd.
Zyrtarët thanë se mund të kalojnë disa ditë para se të rivendoset energjia elektrike në disa zona. Rreth një metër dëborë ra në Konektikat dhe një rekord prej 78 centimetrash në Portland të Meinit.
Nju Jorku i shpëtoi stuhisë me vetëm 30 centimetra dëborë. Por në Long Ijlënd qindra makina u bllokuan në autostradën “Long Island Expressëay”, disa prej tyre gjatë gjithë natës.
Stuhia e borës shkaktoi përmbytje në disa qytete bregdetare përgjatë brigjeve të verilindore të Atlantikut dje. Në Plimuth të Masaçusets, uzina e energjisë bërthamore Pilgrim u mbyll pas ndërprerjes së energjisë elektrike. Zyrtarët thanë se ajo nuk përbënte rrezik.
Të paktën katër vdekje janë shkaktuar nga kjo stuhi dëbore në Shtetet e Bashkuara dhe të paktën tri të tjera në Kanada. Zyrtarët thonë se kushtet vazhdojnë të jenë të rrezikshme, veçanërisht me uljen e temperaturave gjatë natës.