SHBA – Dita e sotme shënoi fillimin e aktiviteteve për inagurimin e mandatit të dytë të presidentit amerikan Barak Obama. Katër vjet më parë, Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama, filluan traditën e Ditës Kombëtare të Shërbimit gjatë fundjavës së Inagurimit.
Presidenti Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe familjet e tyre e vazhdojnë këtë traditë sot, ashtu si amerikanë të tjerë në 50 shtetet e vendit, që do të marrin pjesë në aktivitete të shërbimit vullnetar në komunitetet e tyre.
Presidenti dhe Nënpresidenti do t’u kërkojnë amerikanëve të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme në veprimtari të tilla. Sot në mbrëmje Zonja e Parë Michelle Obama dhe bashkëshortja e Nënpresidentit, zonja Jill Biden, do të marrin pjesë në Koncertin e Inaugurimit për Fëmijët, të organizuar prej tyre për nder të familjeve të ushtarakëve.