Administrata e Donald Trump i ka kërkuar Izraelit të hënën, 9 mars, të mos kryejë sulme të mëtejshme ndaj objekteve energjetike të Iranit, veçanërisht ndaj infrastrukturës së naftës, sipas tre burimeve të njohura me këtë çështje, raporton Axios.

Kjo shënon herën e parë që administrata amerikane ka ndaluar ose kufizuar Izraelin që kur të dy vendet nisën operacionin e tyre ushtarak kundër Iranit më shumë se 10 ditë më parë.

Mesazhet e SHBA‑së u përcollën në nivele të larta politike dhe edhe te Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, tha një zyrtar izraelit.

Sipas një burimi me njohuri të brendshme, administrata amerikane përmendi tre arsye kryesore për këtë kërkesë:

Sulmet e tilla dëmtojnë popullin iranian, një pjesë e madhe e të cilit është kundër regjimit

– Trump synon të bashkëpunojë me sektorin e naftës iraniane pas përfundimit të luftës, në një qasje të ngjashme me atë ndaj Venezuelës

– Sulmet mund të çojnë në hakmarrje masive iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në shtetet e Gjirit Persik.

Burimet thanë se kërkesa erdhi pasi Izraeli goditi ditët e fundit depo të karburanteve në Iran, duke mbuluar qytetin e Teheranit, një qytet me rreth 10 milionë banorë, me tym të zi toksik dhe acid, çka ngriti edhe paralajmërime urgjente shëndetësore për civilët.

Sipas raportimeve, SHBA-të e shohin goditjen e objekteve energjetike iraniane si një “opsion ekstrem” që duhet mbajtur vetëm në rezervë, kryesisht në rast se Irani sulmon i pari objektiva të ngjashme të naftës në rajon.