SHBA do të shpallë ditët në vijim paketën e saj përfundimtare për sigurinë në Ukrainë për të përdorur fondet e mbetura të caktuara për të blerë armë të reja. Paketa përfshin përgjues të mbrojtjes ajrore dhe municione. Sipas asaj që raporton “Reuters”, paketa pritet të jetë rreth 1.2 miliardë Dollarë.
“Paketa mund të jetë ndër hapat e fundit që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën, ndërsa Kievi përgatitet për kthimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump , i cili ka vënë në dyshim publikisht ndihmën ushtarake dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë kur të marrë zyrtarisht detyrën”, – shkruan “Reuters”.
Që nga pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj në Shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 175 miliardë Dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë rreth 61.4 miliardë Dollarë ndihmë për sigurinë.
Rreth gjysma e kësaj ndihme sigurie ka ardhur përmes programit të USAI-t dhe pjesa tjetër ka shkuar drejt tërheqjes nga rezervat ekzistuese ushtarake nëpërmjet autoritetit presidencial.