Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike me shije mente dhe të disa lloje pemëve, pas shqetësimeve për përdorim të këtyre të fundit nga adoleshentët.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se 55 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,500 të tjerë kanë shfaqur komplikime serioze shëndetësore si pasojë e problemeve të lidhura me cigaret elektronike.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Presidenti amerikan, Trump tha se SHBA-ja do të ndalojë të gjithë llojet e cigareve elektronike përveç asaj tradicionale, mirëpo administrata u tërhoq për shkak të presionit të industrisë.

“Ne na duhet të mbrojmë familjet tona. Në të njëjtën kohë është industri e madhe. Ne duam ta mbrojmë industrinë”, ka thënë Trump këtë javë.

Përveç kësaj, SHBA-ja së fundmi ka rritur në 21 vjeç moshën e blerjes së cigareve, ku përfshihen dhe ato elektronike. Nga ana tjetër, Koreja Jugore, India dhe Brazili janë në mesin e dhjetëra vendeve që kanë ndaluar përdorimin e këtyre cigareve.