Autoritetet hungareze raportohet se kanë bërë disa arrestime në lidhje me një komplot kundër “individëve të mbrojtur”, pas marrjes së informacionit nga shërbimet e inteligjencës amerikane.

Media Telex raportoi për herë të parë mbi informacionin e SHBA të hënën, duke cituar burime diplomatike. Shërbimi për shtyp i qeverisë më vonë konfirmoi se kishte marrë një paralajmërim nga SHBA për një grup të rinjsh që dyshohet se kishin synuar të blinin armë për një sulm.

Sipas raportit fillestar, sulmi ishte planifikuar për këtë të mërkurë, kur Hungaria do të përkujtojë kryengritjen e vitit 1956 kundër qeverisë socialiste. Inteligjenca amerikane thuhet se mësoi për komplotin duke përgjuar komunikimet në internet midis anëtarëve të grupit.

Telex e lidhi komplotin e supozuar me një bastisje që policia e Budapestit kreu gjatë fundjavës në zonën e kohës së lirë të kryeqytetit. Gjashtë njerëz u dërguan në paraburgim kur u larguan nga bari “Legend”, thuhet në raportim, duke cituar pronarin e institucionit.

Deklarata e qeverisë tha se Budapesti po e merr seriozisht sigurinë personale të individëve të mbrojtur “duke pasur parasysh ngjarjet ndërkombëtare të muajve të fundit, kur u sulmuan disa politikanë kryesorë”.

Dy politikanë të profilit të lartë perëndimorë janë shënjestruar nga vrasës të mundshëm këtë vit. Kryeministri sllovak Robert Fico u plagos rëndë nga një person i armatosur në maj. Që atëherë ai është shëruar dhe është rikthyer në detyrat zyrtare.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u godit nga një plumb snajperi në një tubim të fushatës në Pensilvani në korrik. Një tjetër tentativë e dyshuar ndaj  Trump ndodhi në nëntor, kur Shërbimi Sekret pa një burrë të armatosur të fshehur pranë fushës së golfit të politikanit në Florida.