KOSOVE, 9 prill 2013 – Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të shfrytëzojnë “mundësinë e jashtëzakonshme” për të arritur marrëveshjen, e cila hap rrugët e tyre drejt integrimit evropian.
“Kemi parë disa komente para-prapa rreth kësaj, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë palët që të arrijnë marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Patrick Ventrell.
Ai po ashtu ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, si ndërmjetësuese e dialogut. Të hënën, Beogradi ka refuzuar të pranojë propozimin e Brukselit për marrëveshje me Prishtinën.
Sipas qeverisë serbe, propozimi në fjalë nuk ka përmbushur interesat e Serbisë, përkatësisht nuk ka paraparë përgjegjësi ekzekutive për asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





