Shtetet e Bashkuara besojnë se Izraeli është “plotësisht i gatshëm” të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit në ditët e ardhshme, megjithëse nuk pritet që SHBA ta mbështesë këtë veprim.

Sipas mediave amerikane, Izraeli po shqyrton mundësinë e goditjes së infrastrukturës bërthamore iraniane, ndërsa negociatat për një marrëveshje të re bërthamore midis SHBA dhe Iranit vijojnë në sfond.

Teherani, nga ana e tij, injoron kërcënimet dhe thekson se nuk do të ndalojë pasurimin e uraniumit, duke e cilësuar kërkesën amerikane si “arrogancë”. Presidenti iranian ka bërë të qartë se programi bërthamor është i paprekshëm dhe thekson se Irani nuk do të kërkojë leje për kërkimet shkencore.

Në pritje të tensioneve të mundshme, SHBA ka rritur masat e sigurisë dhe ka lejuar largimin e disa zyrtarëve dhe familjeve të tyre nga rajoni, duke paralajmëruar për hakmarrje ndaj personelit amerikan në Irak.

Negociatat bërthamore midis SHBA dhe Iranit do të vazhdojnë të dielën në Oman, ndërsa tensionet mes palëve mbeten të larta.