Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë gjetur se Rusia ka marrë raketa balistike nga Koreja e Veriut dhe tani po kërkon të marrë raketa balistike me rreze të shkurtra veprimi nga Irani, pasi ka hasur në vështirësi t’i plotësojë kërkesat për furnizim për luftën e vet në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.

Inteligjenca amerikane gjeti së fundmi se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me raketahedhës balistikë dhe me disa raketa balistike, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby.

Forcat ruse e shkrepën së paku njërën prej atyre raketave balistike drejt Ukrainës më 30 dhjetor, e cila ra në fushë të hapur në rajonin e Zaporizhjas, theksoi ai.

Rusia hodhi shumë raketa balistike verikoreane të martën, gjatë një sulmi të natës, ndikimin e të cilit është duke e vlerësuar SHBA-ja, shtoi ai.

Kirby tregoi se Rusia dhe Irani ende nuk kanë arritur marrëveshje, por shtoi se SHBA-ja “është e shqetësuar se bisedimet që Rusia të marrë raketa balistike me rreze të shkurtra veprimi nga Irani janë duke përparuar vazhdimisht”.

Administrata Biden ka kërkuar vazhdimisht të dëshmojë se Kremlini tani varet nga Koreja e Veriut, si dhe nga Irani, për armët të cilat i nevojiten për të luftuar kundër Ukrainës, prandaj ka publikuar të dhëna të inteligjencës të cilat thotë se e dëshmojnë këtë.

Koreja e Veriut dhe Irani janë tejet të izoluara në skenën ndërkombëtare për shkak të programeve të tyre bërthamore dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në tetor, Shtëpia e Bardhë tha se Koreja e Veriut i dërgoi Rusisë pajisje ushtarake dhe municion.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut e kanë zanafillën prej themelimit të Koresë së Veriut më 1948. Zyrtarët sovjetikë e vendosën një nacionalist të ri dhe ambicioz, Kim Il Sung, babagjyshin e ndjerë të liderit të tanishëm Kim Jong Un, si sunduesin e parë të vendit.

Kimi udhëtoi drejt Rusisë në shtator për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin dhe i vizitoi zonat e rëndësishme ushtarake të Rusisë.

Administrata Biden thotë gjithashtu se Irani i ka dhënë Rusisë dronë luftarakë.