SHBA – Gruaja, që shtyu një burrë në shinat e trenit të një metroje në Nju Jork, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, është arrestuar dhe përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së dytë. 

Prokurorët e cilësuan gjestin e Erika Menendezit një krim nga urrejtja. Menendez, që jeton në Bronx, e pranoi fajin. “E shtyva muslimanin përpara trenit, sepse kam një urrejtje të madhe për hindutë e muslimanët, që prej vitit 2001, kur rrëzuan kullat binjake”,- ka thënë 31-vjeçarja.
Viktima e saj, Sunando Sen, 46 vjeç, kishte emigruar në Amerike nga India. Ai banonte në Queens dhe kishte një shtypshkronjë të vogël. Dëshmitarët okularë rrëfejnë se Sen ishte duke pritur qetësisht në platformën e metrosë, kur gruaja e shtyu papritur, përpara trenit që po mbërrinte në stacion.

Njerëzit e kishin parë gruan, disa momente përpara incidentit, të fliste me vete. Viktima nuk ka pasur asnjë mundësi të mbrohet, sepse është shtyrë nga pas, papritur.

“Një gjest i tillë, si dhe deklaratat plot urrejtje, që e akuzuara kishte bërë përpara gjestit të saj, janë të tilla, që nuk mund të tolerohen kurrë nga një shoqëri e civilizuar”,- thuhet në deklaratën e prokurorëve.

Vrasja e Senit ishte e dyta e këtij lloji brenda muajit në Shtetet e Bashkuara. Naeem Davis u padit në fillim të dhjetorit se shtyu një pasagjer për vdekje në një stacion metroje në Times Square, çka ngjalli indinjatë, por me sa duket pa mundur të frenojë përsëritjen e fenomenit.