27 prill 2015 – Disa nga kandidatët e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit janë identifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si politikanë me histori të mundshme kriminale.
Pak ditë pasi opozita shqiptare denoncoi publikisht dy kandiatë të PS-së për zgjedhjet vendore se kishin të shkuar kriminale, një deklaratë e fortë vjen për politikën shqiptare nga SHBA-ja. Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, tha sot se në listat e kandidatëve për kryetarë të bashkive ka persona me histori të mundshme kriminale, por nuk përcaktoi se kujt partie i përkasin.
“Premtuam se do të shqyrtonim listat e kandidatëve për emra personash që kanë qenë të arrestuar apo të dënuar për krime të rënda qoftë në Shqipëri ose vende të tjera. Në përgjithësi ndihemi mirë për listat, veçanërisht nga prania e një numri të madh kandidatesh femra të afta, por kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e këtyre me udhëheqësit e tyre politikë”, deklaroi ambasadori Lu, i cili theksoi se SHBA-ja do të japë më shumë se gjysmë milion dollarë mbështetje për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, më qëllim që të jenë të lira dhe të ndershme.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/